Maqedoni

Qeveria deklasifikon marrëveshjen për emrin

14.06.2018 17:30

Sot qeveria pritet të deklasifikojë Marrëveshjen për emrin të arritur me Greqinë...

Sot qeveria pritet të deklasifikojë Marrëveshjen për emrin të arritur me Greqinë, para se e njëjta të nënshkruhet të shtunën në Prespë, në pjesën greke, në një takim ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, pasi Greqia tashmë hapjen e rrugës integruese për vendet e rajonit, e ka lidhur me nënshkrimin e marrëveshjeve edhe me Maqedoninë por edhe me Shqipërinë.
 
Marrëveshja është refuzuar kategorikisht nga opozita në të dy vendet. Dje edhe presidenti Ivanov  tha prerë se nuk do ta nënshkruajë kurrë një marrëveshje që e cilësoi si më të keqen në historinë 73 vjeçare të Maqedonisë, një marrëveshje që ishte heqje dorë nga të gjitha qëndrimet e ndërtuara me mund, duke kënaqur ultimatumet greke.
 
Gjithsesi, marrëveshja është përshëndetur tashmë nga të gjithë faktorët relevant ndërkombëtarë, sepse jo vetëm i jep fund një kontesti 27-vjeçar, por hap rrugën e integrimit për Maqedoninë. Pas nënshkrimit të shtunën në Prespë, marrëveshja pritet të votohet në kuvend më së voni deri të mërkurën.
 
NAIM RAMADANI