Maqedoni
Kryetari I Besës, Afrim Gashi uron festën e Fitër Bajramit
15.06.2018 15:57
Kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi ka uruar besimtarët muslimanë për festën e Fitër Bajramit...

Kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi ka uruar besimtarët muslimanë për festën e Fitër Bajramit.
“Muaji i Ramazanit është një a’raf (purgator) që besimtarët myslimanë e kalojnë me agjërim, përkushtim e devocion, për të dalë në ditën e Bajramit ballëndritur dhe zemërbardhë njësoj si në ditën kur besimtarët do ta kalojnë Urën me librin në krahun e djathtë. Përveç kësaj, Ramazani është universiteti ku jepen leksione për paqen, dashurinë, mirëqenien dhe tolerancën. Agjëruesit janë njerëzit më të përshpirtshëm, të cilët e ushqejnë me dashuri gjithë njerëzimin dhe, madje, edhe mjedisin. Në këtë kontekst, edhe në rrethanat tona, bashkëjetesa, respekti i ndërsjellë dhe dialogu janë vlera që – pos tjerash – i prodhon ky muaj i madh.Duke e perceptuar kështu muajin e Ramazanit, jemi të bindur se festa e Bajramit tashmë është katarza e shpërthimit shpirtëror që e sjellin agjëruesit me dashuri për njeriun dhe për natyrën, në përgjithësi. Urojmë që ky Bajram të kalojë në mirëqenie, paqe, dashuri e lumturi në secilën familje”, thuhet në urimin e Gashit.
