Gaza, dështon armëpushimi 72 orësh
Arritja e këtij armëpushimi u konfirmua edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga OKB-ja, por vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi u raportuan luftime dhe të dyja palët dolën me deklarata duke akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të pushimit të zjarrit.......

Vetëm pak orë nga hyrja në fuqi, marrëveshja për armëpushimin 72-orësh e arritur mes Izraelit dhe Hamasit ka dështuar.
Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të Gazas se do të rinisë operacionet ushtarake kundër Hamasit duke u kërkuar që të qendrojnë larg militantëve për të mos rrezikuar jetën. Armëpushimi nisi në 08:00 të së premtes me orën lokale.
Arritja e këtij armëpushimi u konfirmua edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga OKB-ja, por vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi u raportuan luftime dhe të dyja palët dolën me deklarata duke akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të pushimit të zjarrit.
Situata në orët e para është normalizuar disi dhe banorët e Gazës e kanë shfrytëzuar rastin për të kontrolluar gjendjen e banesave të tyre nëse ishin dëmtuar nga sulmet ose jo. Por Ministria e Shëndetësisë se Gazës njoftoi se tetë palestinezë u vranë dhe dhjetra u plagosën në një sulm izraelit pranë qytetit jugor të Rafah pas fillimit te armëpushimit.
Izraelitët thonë se sulmi ishte përgjigje e një zjarri të mëparshëm me raketa i Hamasit e megjithatë zëra nga Tel Avivi i theksuan Shteteve të Bashkuara dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara se pavaresisht paqes 72-orëshe, trupa të ushtrisë së tyre do të vazhdojnë të jenë në qarkullim në Gaza. Ky veprim duket se ngjall panik te palestinezët pasi i druhen çdo momenti se mos situata përkeqësohet dhe kalon në sulme.
Izraeli e filloi ofensivën e tij në Gaza në 8 korrik dhe deri tani të paktën 1422 palestinezë janë vrarë, shumica prej të cilëve kanë qenë civilë. Gjithashtu edhe 56 ushtarë dhe dy civilë janë vrarë në anën e Izraelit.
Deri tani Izraeli e ka justifikuar ofensivën e tij në Gaza, si një mënyrë për të mbrojtur popullin e tij nga sulmet e militantëve palestinezë. Në një deklaratë të përbashkët mes Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon iu bë thirrje palëve që të veprojnë me përmbajtje gjatë kësaj kohe dhe më pas të respektojnë armëpushimin e arritur, i cili do t’i vijë në ndihmë civilëve të pafajshëm.
Gjatë armëpushimit, civilët në Gaza do të marrin ndihmë urgjente humanitare, me ndihma ushqimore, gjithashtu do t’i vihet në ndihmë personave të plagosur. Në deklaratën thuhej gjithashtu se përfaqësuesit e Izraelit dhe të Palestinës do të nisin menjëherë negociatat me qeverinë e Egjiptit, pasi pranuan ftesën e kësaj të fundit. (Sanije Kasami, TVM2)
