Tsipras i mbijetoi mocionit të besimit

17.06.2018 13:25

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, i mbijetoi një votëbesimi në parlament këtë të shtunë....

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, i mbijetoi një votëbesimi në parlament këtë të shtunë, gjë që i hap rrugën marrëveshjes historike me Maqedoninë, për zgjidhjen përfundimtare të emrit.

Mocioni ishte sjellë nga opozita, “Demokracia e re”, por u refuzua nga 153 deputetë. Vetëm 127 votuan votëbesimin. Kundërshtarët e kishin akuzuar Tsiprasin se po i bënte shumë lëshime Maqedonisë në marrëveshjen që do të firmoset të dielën. 

“Kjo është një marrëveshje që do ta kishte dashur çdo kryeministër grek”, tha Tsipras në mbledhjen e qeverisë. Po të kishte humbur, të majtët e zgjedhur në vitin 2015 do t’ia kishin dhënë mandatin presidentit, gjë që do të kishte çuar drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Në sondazhet e bëra me publikun, ai është duke lënë pas që tani Demokracinë e Re, të qendrës së djathtë. Greqia ka që në vitin 1991 që nuk bie dot dakord me emrin e ish republikës jugosllave.

Argumenti i tyre është se emri “Maqedoni” nënkupton pretendime territoriale ndaj provincës greke me të njëjtin emër, që është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe qytetërimit grek. Kjo temë ka ndikime të thella emocionale për shuam grekë. Një deputet me Grekët e Pavarur, të së djathtës, tashmë në koalicion me Tsiprasin, u bashkua me Demokracinë e Re duke marrë duartrokitje nga opozita.

Ai u përjashtua menjëherë nga kryetari i partisë. Përjashtimi bën që Tsipras të ketë një shumicë prej vetëm 153 deputetësh në një parlament me 300 vende. Udhëheqësi i Demokracisë së Re, Kiriakos Micotakis, tha se marrëveshja ishte sulm ndaj shtetit, dhe qeveria e Tsiprasit një makth.

“Kjo qeveri duhet të ikë para se të bëjë më shumë dëme kombëtare”, tha ai.

Me mijëra grekë protestuan jashtë parlamentit kundër marrëveshjes me Maqedoninë, duke i kërkuar Tsiprasit të japë dorëheqjen. Policia përdori gaz lotsjellës për të mos lejuar turmën të futet në ndërtesë. Protestuesit përpara parlamentit bërtisnin “Tradhtar! Tradhtar!”, teksa ligjvënësit diskutonin brenda.