Odiseja e “Aquarius” merr fund! Anija ankorohet në Valencia
Odiseja e anijes “Aquarius” është mbyllur me një fund të lumtur....

Odiseja e anijes “Aquarius” është mbyllur me një fund të lumtur. Anija e refuzuar fillimisht nga Malta dhe më vonë nga Italia, pasi është endur për ditë me radhë nëpër Mesdhe është ankoruar në brigjet spanjolle.
629 refugjatët në bordin e anijes, disa prej të cilëve në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të kohës së gjatë të qëndrimit në det, kequshqimit dhe mungesës së ilaçe morën ndihmën e parë nga grupet e emergjencave në Portin e Valencias.
Qeveria e re spanjolle e drejtuar nga Pedro Sanchez ka një tjetër qasje ndaj emigracionit në krahasim me qeverinë e Mariano Rajoy-t. Pjesa më e madhe e refugjatëve janë nga Afrika, por mes tyre nuk mungojnë shtetas nga Afganistani, Pakistani dhe Bangladeshi. Që të gjithë ata u shpëtuan nga varkat e sajuara dhe të tejmbushura në brigjet libiane, gati për t’u nisur drejt Europës.
Autoritetet spanjolle dhe grupet e shpëtimit të Kryqit të Kuq dhe Mjekëve pa Kufij kanë nisur menjëherë ofrimin e ndihmës.
Prioritet u është dhënë grave shtatzënë, fëmijëve dhe personave të sëmurë. Pas kësaj, ata do të shoqërohen nëpër stacionet policore për t’iu nënshtruar procedurave të identifikimit dhe nisjes së procesit të emigracionit.
