Nënshkrimi i marrëveshjes për emrin, zhvillohen protesta në Nivic dhe Manastir

17.06.2018 15:04

Dhjetra protestues me flamuj grekë arritën në afërsi të fshatit Nivic....

Nënshkrimi i marrëveshjes u shoqërua me protesta në anën Greke të Liqenit të Prespës dhe Protestave të VMRO-DPMNE-së në Manastir. Dhjetra protestues me flamuj grekë arritën në afërsi të fshatit Nivic për të penguar nënshkrimin e marrëveshjes.

Ata tentuan ta thyenin kordonin policor dhe të hyjnë në perimetrin e sigurisë së lartë ku nuk lejohej të qarkullojë askush që nuk është i akredituar.

Siç duket në videot e siguruara protestuesit i afrohen policisë dhe fillojnë të shtyhen me ta, në tentativë për të hyrë në vendin ku po nënshkruhej marrëveshja. Në shenjë revolte sulmonin trupat policore me drunjë dhe gjësende të forta pas çka policia ishte e detyruar të përdorë gaz lotësjellës për të shpërndarë turmën.

Për të penguar qasjen e protestuesve deri në fshat policia bllokoi të gjitha rrugët pas çka ata u mblodhën të protestojnë 40 kilometra më larg. Ashtu siç ishte paralajmëruar, protestë kundër marrveshjes zhvilloi edhe paria më e madhe opozitare ajo e VMRO-DPMNE-së në Manastrit.

Protesta filloi dy orë pas nënshkrimit të marrëveshjes për emrin, nga salla e sportit drejt stadiumit dhe sheshit të qytetit.  Në krye të protestës qëndronte lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe deputetë të tjerë të opozitës maqedonase.

Protestës i printe banderola me citatin e Todor Aleksandrov, “Organizimi është populli dhe populli eshtë organizimi”. 

Nuk mungoi as kryqi në të cilin shkruan emri Republika e Maqedonisë së Veriut,  ku janë portretet edhe të akuzuarve për sulmin e 27 prilllit në Kuvend Nikolla Mitrovski-Kolo dhe Aleksandar Vasilevski-Ninxha që ndodhen në parabrurgim. Rrugës së protestës kryqin në fjalë protestuesit e lanë para organizatës komunalë të LSDM-së dhe vazhduan protestën në shesh.

Mickovski iu drejtua protestuesve prej ku ftoi ata që edhe më tej të vazhdojnë të përdorin emrin Maqedoni.

Ai tha se Zaev ka nënshkruar marrëveshje kapituluese për emrin ndërsa edhe një herë theksoi se Maqedoni është emri me të cilin ata njihen. Për ketë që ia bëjnë Maqedonisë, do të vijë koha kur do të përgjigjen si para popullit ashtu dhe para ligjit.

“E vërteta e madhe vëllezër dhe motra është se Zaev me marrëveshjen ka ndryshuar identitetitn dhe ajo që marrëveshja parasheh maqedonase dhe maqedonas është krejtësisht diçka tjetër dhe e re nga ajo që kemi qenë deri më tani.Ka një kategori që ështe panjohur për këtë parti dhe këtë njëri dhe ajo kategori quhet turp. Ky është kapitulim i turpit që sot i ndodhi vendit tonë” – tha kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)