Maqedoni
Qeveri, miratohet marrveshja Maqedoni-Greqi
18.06.2018 13:22
Qeveria e Maqedonisë ka rishikuar dhe miratuar propozim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes...

Qeveria e Maqedonisë ka rishikuar dhe miratuar propozim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Pas kësaj, e njëjta do të dorëzohet në Kuvendin e Maqedonisë, në formë të propozim-ligjit për votim në seancë plenare.
“Në seancën e 74-të, të rregullt Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka shqyrtuar dhe aprovuar propozim-ligjin për ratifikim të marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve, siç përshkruhet në Rezolutën e Këshillit të Kombeve të Bashkuara 817 (1993) dhe 845 (1993), ndërprerje të Marrëveshjes së Kohore të vitit 1995 dhe vendosjen të partneritetit strategjik ndërmjet palëve, me propozim të Ministrisë për Punë të Jashtme. Propozim-ligji për ratifikim do të dorëzohet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë”.
Marrëveshja pritet të ndodhet në seancë plenare në kuvend brenda javës ndërsa për miratimin e saj nevojitet një shumicë e thjeshtë.
Pas miratimit, marrëveshja i dërgohet Presidentit Ivanov, i cili ka 7 ditë afat për ta nënshkruar. Nëse Ivanov ushtron të drejtën e vetos, marrëveshja shkon serish në procedurën parlamentare, por më pas ai duhet të votohet me shumicë absolute, pra me votat “pro” të 61 deputetëve dhe i rikthehet sërish presidentit, i cili sipas Kushtetutës është i obliguar ta nënshkruajë. Por, kreu i shtetit tashmë ka qenë i qartë se nuk ka ndërmend ta nënshkruajë marrëveshjen. Pasi të mbarojë kjo procedurë, fillon faza tjetër, në të cilën Maqedonia duhet të mbajë një referendum, ku qytetarët do të prononcohen nëse janë apo jo për ndryshim të emrit kushtetues që do ti hapë rrugë antarësimit në vendit në strukturat europiane.
Referendum thirret nga kuvendi dhe organizohet nga KSHZ. Pas referendumit, pritet që të fillojë procesi i ndryshimeve Kushtetuese, që hapin rrugën e legjitimimit të emrit të ri: Republika e Maqedonisë së Veriut. Vetëm pasi Maqedonia të bëjë ndryshimet kushtetuese, Greqia do ta ratifikojë marrëveshjen.
Kur marrëveshja të hyjë në fuqi, do ta fillojë edhe përdorimi i emrit e ri në të gjitha dokumentet zyrtare, ndërsa dokumentet e institucioneve do të duhet të ndryshohen në një periudhë 5 vjeçare. Deri më 6 muaj pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, vendi do të riemërojë monumentet, ndërtesat publike dhe infrastrukturore që lidhen me historinë greke. Pas ratifikimit të marrëveshjes, Greqia duhet të njoftojë Presidentin e Këshillit Evropian se mbështet hapjen e negociatat për anëtarësim në BE dhe Sekretarin Gjeneral të NATO-s se mbështet ftesën për anëtarësim të Maqedonisë në Aleancën Ushtarake Veri-Atlantike. Gjithsesi, në marrëveshje qartë potencohet se nëse jëra nga palët nuk e pranon atë në përputhje me procedurat e brendshme, marrëveshja bëhet e pavlefshme.
NAIMRAMADANI
