Takim Shabani - Hysa, diskutohen projektet ndërkufitare
Bashkëpunimin ndërmjet MVL-së dhe institucioneve simotra të Kosovës me theks të posaçëm për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet dy vendeve dhe Programin e IPA fondeve të cilat financohen nga Unioni Evropian, ishte në qendër të këtij takimi............

Ministri i pushtetit lokal, Lirim Shabani ka pritur sot ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa. Bashkëpunimin ndërmjet MVL-së dhe institucioneve simotra të Kosovës me theks të posaçëm për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet dy vendeve dhe Programin e IPA fondeve të cilat financohen nga Unioni Evropian, ishte në qendër të këtij takimi.
Ministri Shabani e njoftoi ambasadorin Hysa për aktivitetet e deritashme që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkufitarë, me punën e strukturave operative si dhe planet dhe parashikimet për periudhën në të ardhshmen.
"Deri tani aktivitetet janë zhvilluar mirë dhe ka rezultate pozitive duke u realizuar më shumë projekte. Në këtë drejtim për shkaqe objektive dhe subjektive, për keqardhje, BE ka refuzuar projektet për bashkëpunim ndërkufitarë me Kosovën. Por, unë jam optimist dhe presnga Delegacioni Evropian në Maqedoni të ketë rivaluim të mjeteve të parapara me çka do të shfrytëzoheshin një pjesë e mjeteve të parapara financiare” theksoi ministri Shabani.
Ai shtoi se ka kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e Delegacionit Evropian dhe pret bashkëpunim më intensiv në të ardhshmen.
Ambasadori i Kosovës Ylber Hysa çmoi lartë angazhimin konstruktiv të ministrit Lirim Shabani dhe shprehu gatishmërinë e tij për të bërë shumë më tepër për thellimin e bashkëpunimit e sidomos për avancimin e procesit për shfrytëzimin e IPA Fondeve nga Bashkimi Evropian.
Ambasadori Hysa shprehu bindjen se në të ardhshmen do të angazhohen shumë më tepër strukturat operative të dy vendeve me qëllim që Fondet evropiane të shfrytëzohen sa më tepër dhe për projekte të cilat do të përmirësonin jetën e qytetarëve nga të dy anët e kufirit.
