Marrëveshja për emrin, Malevski: Akt historik, garanci europiane

18.06.2018 17:19

Emërtimi i ri i Maqedonisë paraqet akt historik që siguron ardhmërinë europiane të vendit....

Emërtimi i ri i Maqedonisë paraqet akt historik që siguron ardhmërinë europiane të vendit, vlerëson ish ministri i jashtëm dhe njëherësh eksperti i zhvillimeve politike Denko Malevski. Sipas tij akti i djeshëm duhet shërbejë si shembull për zgjidhjen e problemeve në Ballkan.

Malevski thotë se bëhet fjalë për marrëveshje me përjashtimet dhe përfitime të përbashkëta për të dyja palët.

“Maqedonia si shtet i vogël në Ballkan nuk kishte ardhmëri nëse nuk arrinte të tejkalonte këtë pengesë që mbyllte rrugën drejt Unionit. Pala maqedonase u pajtua që të distancohet nga ajo që grekët e konsiderojnë pjesë të historisë dhe kulturës së tyre, e ajo është periudha antike. Ne, nëpërmjet emrit të ri, Maqedonia e Veriut, bëjmë këtë distancim në identitete. Është një proces që do të realizohet nëpërmjet punës së përbashkët të parlamentit, pushtetit, opozitës për të pasuar referendumi. Populli do të duhet ta votojë këtë ndryshim të emrit që nuk është aspak i këndshëm por i nevojshëm nëse dëshirojmë të bëhemi pjesë e botës moderne. Edhe vetë pala greke ka bërë përjashtime serioze.” – tha analisti, Denko Malevski.

MAKSUTI:  MARRËVESHJE QYTETARE, ME NDRYSHIME KUSHTETUESE

Pala greke nuk preku shtetësië e cila mbetet maqedonase, kurse gjuha mbetet gjithashtu maqedonase por me origjinë sllave. Por çka fitojnë shqiptarët nga pakti maqedono – grek?

Profesori i të drejtës kushtetuese Mersim Maksuti thotë se marrëveshja është qytetare, ndërkaq thekson se pritet ndryshim i kushtetutës në disa amendamente përfshi këtu edhe preambulën.

“Kjo marrëveshje nuk do të them se bën dallime etnike, me baza etnike por ka kuptim qytetar mbi të gjitha dhe kjo marrëveshje është e mirseardhur për të gjithë qytetarët e këtij shteti pa marrë parasysh a janë ata të përkatësisë maqedone, shqiptare apo të etnikumeve të tjera…Pas mbajtjes së referendumit me sukses kuptohet, atëherë fillon faza e miratimit të amendamenteve me një amendament do të ndërrohet emri i Maqedonisë dhe do të ndërrohen edhe terminet brenda kushtetutës, pra fjala Maqedoni dhe për termin maqedonisht. Gjithashtu do të ketë amendamente të reja me nenin 3 dhe nenin 49 ku parashihet  mos ndërhyrja e shtetit të Maqedonisë në të drejtën sovrane të Greqisë për çështjet e pakicave kuptohet për maqedonët që jetojnë atje dhe pretendimet territoriale.” -  u shpreh analisti politik, Mersim Maksuti.

Pas miratimit të amendameve nga parlamenti i Maqedonisë hapet drita jeshile për ratifikimin të marrëveshjes në parlamentin grek dhe më pas marrëveshja hyn në fuqi.

Në ndërkohë Maqedonia pritet të  kap rrugën euroatlantike, më 25 qershor çeljen e bisedimeve për në BE dhe më 11 korrik marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. (Meral Ismaili, TVM2)