Kriza e refugjatëve, Merkeli rifiton kohë, për momentin shpëton qeverinë
Angela Merkel arriti të fitojë kohë, duke e kapërcyer për momentin krizën që rrezikon të shembë koalicionin e saj qeverisës....

Shpëtimi i Kancelares tani është në Europë, e asaj do ti duhet të impenjojë europianët në një politikë të përbashkët ndaj refugjatëve. Kështu dëshiron CSU-ja. Ministri i Brendshëm Horst Seehofer planifikon ta mbyllë kufirin gjerman për një grup të madh emigrantësh. Ky është shantazh! Kancelarja duhet të ofrojë tani rezultate.
Partia simotër i ka dhënë shefes së ekzekutivit gjerman 14 ditë kohë për ta zgjidhur ngërçin në nivelin e BE-së.
Ironia e madhe është se, që të shpëtojë trashëgiminë e vet politike, postin si Kancelare, por edhe vet unitetin e bllokut, Merkelit do t’i nevojitet më shumë se kurrë ndihma e qeverive të tjera europiane, e sidomos atyre të lidhura më së shumti me debatin e emigracionit: Greqisë, Italisë dhe Austrisë.
Me këto vende, Kancelarja po synon të lidhë marrëveshje dypalëshe, që ato të pranojnë të marrin pas azilkërkuesit që vërshojnë drejt Gjermanisë. Seehofer u shpreh një ditë më parë se është gati të presë fundin e qershorit për një zgjidhje europiane për këtë çështje.
Nëse deri atëherë nuk do të arrihen marrëveshje me partnerët e BE-së, nga ai moment do të nisin dëbimet masive të emigrantëve në kufijtë gjermanë.
