Maqedoni
Osmani në Prishtinë: Hapja e negociatave, perspektivë për tërë rajonin
19.06.2018 12:43
Maqedonia dhe Kosova do të vazhdojnë angazhimin e tyre për perspektivat evropiane...

Maqedonia dhe Kosova do të vazhdojnë angazhimin e tyre për perspektivat evropiane, sepse kjo është në interes të përbashkët në procesin e integrimeve në BE. Ky ka qenë vlerësimi i zëvendëskryeministrit për eurointegrime, Bujar Osmani, dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, në takimin e tyre në Prishtinë.
“Maqedonia ka fituar përvojë të jashtëzakonshme përmes aktiviteteve shumëvjeçare në kuadër të procesit për stabilizim – asocim me Bashkimin Europian, ndërsa në periudhën e ardhshme, me fillimin e negociatave me Unionin Europian, këto përvoja do të shumëfishohen. Si fqinjë më të afërt me kënaqësi këto përvoja do ua përcjellim kolegëve tanë nga Kosova, me qëllim të përshpejtimit dhe progresin e perspektivave europiane në tërë rajonin”,- ka thënë Osmani.
“Me Kosovën, Maqedonia ndan marrëdhënie të mira”,- është shprehur Osmani, duke u mbështetur në takimin e përbashkët mes dy qeverive, i cili sipas Osmanit pritet të ndodh së shpejti.
Dëshmi tjetër e bashkëpunimit është edhe vendosja e gurthemelit të përbashkët të dy shteteve në vendkalimin e përbashkët Bellanovc – Stançiç, ndërtimi i rrugës Shkup – Bllacë, projekt ky që së bashku me autostradën Prishtinë – Bllacë do ta shkurtojë udhëtimin mes Shkupit dhe Prishtinës nga dy orë në më pak se një orë, citohet të jenë pajtuar Osmani dhe Hoxha, në komunikatën e lëshuar nga SÇE.
Zëvendëskryeministri Osmani ka realizuar takim edhe me kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçin, ku kanë biseduar për perspektivat e të dy vendeve në gjithë Ballkanin Perëndimor, si dhe për pritjen e samiteve të ardhshme të Bashkimit Europian.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
