Maqedoni

Ratifikimi i marrëveshjes, VMRO braktis seancën

19.06.2018 14:08

VMRO-DPMNE në shenjë proteste e lëshoi seancën e thirrur për ratifikimin e marrëveshjes për emrin me procedurë të përshkurtuar....

VMRO-DPMNE në shenjë proteste e lëshoi seancën e thirrur për ratifikimin e marrëveshjes për emrin me procedurë të përshkurtuar, për arsye, siç thonë, se nuk duan të jenë pjesë e miratimit të një ligji kaq të dëmshëm. Menjëherë pas përfundimit të seancës dhe miratimit të ligjit në fjalë, deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshovski, tha se me marrëveshje të këtillë Maqedonia vetvetiu e suspendon aktvendimin ndërkombëtar - juridik që ishte në interes të vendit.
 
Sipas Milloshovskit, edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka më shumë respekt dhe sundim të së drejtës, sesa që ka në Kuvend. Me këtë marrëveshje, Maqedonia heq dorë nga sukseset e të gjitha qeverive që ishin kurorëzuar nga 140 vende që e pranuan vendin nën emrin kushtetues, tha deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshoski.
 
“Republika e Maqedonisë ka pasur shumë presidentë, Kiro Gligorovin, Boris Trajkovskin, Branko Cërvenkovskin etj dhe askush nuk ka firmosur marrëveshje të këtillë që e sjell shtetin në gjendje nënshtruese. Nuk duan të ketë debat të hapur dhe serioz. Duan që sa më shpejt ta votojnë dhe kjo është një dëshmi se  marrëveshja ka mangësi. Kjo është tradhtia më e madhe e kësaj qeverie”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Milloshovski pyet shumicën se për çfarë arsye anashkaluan komisionin amë si kompetent për të debatuar për këtë ligj dhe të njëjtin ia dorëzuan Komisionit për Çështje Evropiane, si ligj me flamur evropian.
 
Milloshovski gjithashtu paralajmëroi se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do t’i lëshojë punimet e Kuvendit, duke mos precizuar më tej nëse ky vendim vlen vetëm për seancat ku do të diskutohet për marrëveshjen apo edhe për aktivitetet e tjera të Kuvendit. Sipas Milloshovskit, për këtë do të vendosin organet partiake. 
 
MERITA GASHI