Ukrainë, sulm pranë vendit të tragjedisë së MH17
Në kohën kur e gjithë vëmëndja është përqëndruar në kërkimet për trupat e 100 viktimave të tjera ende të pazbuluara nga rrëzimi i avionit me 298 pasagjerë në bord, një tjetër ngjarje e rëndë shënohet në kufijtë mes Rusisë dhe Ukrainës.........

Në kohën kur e gjithë vëmëndja është përqëndruar në kërkimet për trupat e 100 viktimave të tjera ende të pazbuluara nga rrëzimi i avionit me 298 pasagjerë në bord, një tjetër ngjarje e rëndë shënohet në kufijtë mes Rusisë dhe Ukrainës.
Rrebelët separatistë zunë pritë autokolones të trupave qeveritare, duke vrarë dhjetëra ushtarë, vetëm pak metra larg vendit ku u rrëzua avioni i fluturimit MH17.
Autoritetet flasin për 10 ushtarë të vrarë, por mediat vendase e çojnë këtë numër në të paktën 20. Rebelët thonë se kanë shkatërruar të paktën 30 automjete të blinduara të ushtrisë ukrainase.Ende nuk dihet nëse me autokolonën qeveritare kanë qënë edhe ekspertët holandezë dhe australianë, të cilët për ditë me rradhë janë ndaluar nga rebelët pro-rusë të afrohen pranë rrënojave të avionit të rrëzuar.
Gjatë javës Kievi njoftoi përparim në ofensivën e tij kundër rebelëve duke marrë nën kontroll rrethinat e qytetit të Donetskut, kryeqendra e rezistencës së rebelëve. Të premten në këtë rajon ushtria sekuestroi një arsenal të madh armatimi të rëndë.
I gjithë arsenali i armëve, nga pamjet e publikuara nga autoritetet ukrainase ishte prodhim rus. Për Kievin kjo është një tjetër provë që përfshin dhe vërteton lidhjet dhe ndihmën e Moskës me separatistët. Më herë Shtetet e Bashkuara dhe më pas Bashkimi Europian përforcuan sanksionet ndaj Rusisë. Kjo e fundit u kundërpërgjigj duke deklaruar se sanksionet do të ndikojnë në rritjen e energjisë dhe çmimit të gazit.
