Botë

Kanadaja legalizon kanabisin

20.06.2018 11:10

Parlamenti i Kanadasë i dha “dritën jeshile” ligjit që lejon përdorimin rekreativ të marihuanës...

Parlamenti i Kanadasë i dha “dritën jeshile” ligjit që lejon përdorimin rekreativ të marihuanës, duke e bërë të dytin vend të globit, ku hashashi legalizohet plotësisht. Pengesën përfundimtare, i ashtuquajturi “Akti i Kanabisit” e kaloi të martën në Senat me 52 vota pro e 29 kundër. Legjislacioni i ri kontrollon dhe rregullon mënyrën sesi mund të kultivohet, shpërndahet dhe shitet lënda narkotike.
 
Kanadezët do të jenë në gjendje të blejnë dhe të konsumojnë lirisht kanabisin, duke nisur nga fillimi i shtatorit. Uruguaji u bë vendi i parë i globit që legalizoi shitjen e kanabisit për përdorim rekreativ dhjetorin e vitit 2013, ndërkohë që edhe një sërë shtetesh amerikane kanë votuar lejimin e tij.
 
Posedimi i marihuanës u kthye në shkelje të ndëshkueshme me ligj në Kanada në vitin 1923, por përdorimi mjekësor atje është lejuar që prej vitit 2001. Pëlqimin mbretëror, ligji pritet ta marrë këtë javë, e pastaj qeveria kanadeze do të caktojë një datë zyrtare për hyrjen në fuqi.
 
“Deri tani ka qenë shumë e lehtë për fëmijët tanë të marrin marihuanë dhe për kriminelët që të korrin fitimet”, shkroi në Twitter kryeministri Justin Trudeau. “Por sot ne e ndryshuam një gjë të tillë”, vazhdon mesazhi i tij. Megjithatë, zërat kundër nuk munguan, ndër të cilët më të fortë kanë qenë ato të politikanëve opozitarë konservatorë dhe grupeve indigjene.