Maqedoni
Spasovski për protestat: Çdokush që sulmon institucionet, do të sanksionohet
20.06.2018 16:15
E drejta e protestës është e garantuar me ligj, por protestat duhet të jenë të qeta, demokratike e jo të dhunshme...

E drejta e protestës është e garantuar me ligj, por protestat duhet të jenë të qeta, demokratike e jo të dhunshme, deklaroi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski. Sipas tij, në protestën e fundit para Kuvendit, edhe pse policia ishte cak i sulmeve me mjete të rënda nga ana e protestuesve, njësitet speciale kanë qenë të përmbajtura duke mos lejuar eskalimin e situatës.
“Protestat e qeta garantohen me ligj. Ne jemi këtu për të siguruar institucionet dhe qytetarët. Policia ka qenë cak i sulmeve me mjete të rënda dhe me materie të ndryshme kimike. Nuk u është kundërpërgjigjur protestuesve për më shumë se një orë. Pastaj i ka marrë masat e duhura për të parandaluar turmën. Thuaj se të gjithë personat që protestuan dhe sulmuan policinë janë identifikuar dhe me ata tani po merret Prokuroria. Asnjërit të mos i shkojë ndërmend se mund të sulmojë institucionet e sistemit dhe policinë, e t’ia dalë pa marrë përgjigjen e duhur nga policia”,- u shpreh ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Edhe ambasadori amerikan në vend, Xhes Bejli, tha se forcat e rendit nuk duhet të bien pre e provokimeve, por se duhet ta kryejnë detyrën e tyre. Bejli foli edhe për mbështetjen e ShBA-ve në zgjidhjen e çështjes së emrit.
“Ne gjithmonë e kemi mbështetur arritjen e marrëveshjes, por fundja vendimi ka qenë i vetë qeverive të të dyja vendeve. E drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por jo dhuna dhe vandalizmi. U bëj thirrje policisë që të mos bien pre e provokimeve të protestuesve dhe të kryejnë detyrën e në mënyrë të denjë. Protestuesit gjithashtu duhet që mos të provokojnë, por të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike”,- theksoi ambasadori i ShBA-së në Shkup, Xhes Bejli.
Deklaratat u dhanë gjatë promovimit të objektit të qendrës së re të gjuajtës, në kazermën “Gjorce Petrov”, të financuar me rreth 900 mijë dollarë nga Qeveria amerikane.
FARIJE DAUTI BAKIJU
