Kuvendi ratifikon marrëveshjen, Zaev: Tani presim ftesën për në NATO

20.06.2018 16:45

Deputetët edhe zyrtarisht shtypën pullën e gjelbër për t’i thënë po tejkalimit të dallimit të emrit në mes Greqisë dhe Maqedonisë....

Deputetët edhe zyrtarisht shtypën pullën e gjelbër për t’i thënë po tejkalimit të dallimit të emrit në mes Greqisë dhe Maqedonisë, për t’i thënë po integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Ishin votat e 69 deputetëve të cilat tejkaluan këtë pengesë disadekadëshe, pengesë e cila Maqedoninë e mban peng në rrugën e saj eurointegruese. Tanimë kur kjo marrëveshje kaloi edhe filtrin parlamentar, fillon një epokë e re për Maqedoninë, u shpreh kryeministri Zaev.

“Jam i bindur që më datën 11 dhe 12 korrik në Samitin e NATO-s do të konfirmohet edhe një herë vendimi i sotëm i Aleancës për pranimin e pikës për ftesë në NATO. Kjo është dhe ka qenë aspiratë e kamotshme e shumë gjeneratave, dua t’i falënderoj bashkësitë etnike në Maqedoni, shqiptarët, turqit, romët, vllehët, serbët, boshnjakët dhe të tjerët që u treguan solidarë dhe që dëshmuan  qëndrim shtetëror ndaj ne maqedonasve si etnitet më i madh. Po ashtu dua t’i përshëndes edhe qeveritë e kaluara të cilat sadopak kanë dhënë kontribut për këtë çështje, një falënderim u shkon edhe partnerëve të koalicionit, por edhe palës greke, të cilët kanë dhënë kreativitet për tejkalim të dallimeve”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

RATIFIKIMI, PARTITË SHQIPTARE MBËSHTETËN MARRËVESHJEN

Këtë marrëveshje fuqishëm e përkrahi edhe faktori politik shqiptar që e dha votën pro ardhmërisë euroatlantike.        

“Dita e sotme është udhëkryq dhe do të duhet të pyesim se nga cili krah do të lëvizim kur të gjendemi në këtë udhëkryq. Krahu i parë është errësirë dhe izolim, krahu i dytë është destabilizim dhe josiguri, krahu i tretë është lindja dhe krahu i katër është perëndimi, dhe sot ne jemi në anën e sigurt të historisë”,- u shpreh Artan Grubi nga BDI.

“Kjo marrëveshje në mes Greqisë dhe Maqedonisë është marrëveshje që i pajton fqinjët njëherë e përgjithmonë, është shumë e rëndësishme ta shndërrojmë në burim të jetës dhe të paqes, dhe në asnjë variant nuk duhet ta shndërrojmë në burim të konflikteve të ardhshme”,- theksoi Vesel Mehmedi nga RDK.

MARRËVESHJA ME GREQINË, VMRO: DO TA DËRGOJMË NË KOMISIONIN E VENECIAS

Kundër këtij ratifikimi edhe kësaj radhe dolën deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët nuk morën pjesë në seancë. VMRO marrëveshjen e cilësoi si antikushtetuese dhe njoftoi se do të kërkojë interpretim nga Komisioni i Venecias.

“Ndaj kësaj marrëveshje antikushtetuese, ne do të kërkojmë interpretim nga Komisioni i Venecias për të vërtetuar natyrën ligjore të saj. Ka lojë me të drejtën dhe shtetin e së drejtës, me qëllim të legalizimit të marrëveshjes së kapitullimit. Kjo duhet ligjërisht të sanksionohet”,- u shpreh koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-së, Dragan Danev.

Ratifikimi i paraprin referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese, pas të cilave marrëveshja do të duhet të ratifikohet në Parlamentin e Greqisë dhe më pas të njoftohet sekretari i NATO-s dhe i Bashkimit Europian, se Greqia ka tejkaluar dallimet rreth emrit me Maqedoninë dhe se nuk do të jetë pengesë që e njëjta të bëhet pjesë e këtyre dy institucione të larta ndërkombëtare. (Fitim Kryeziu, TVM2)