Thaçi takon Hahnin: Anëtarësimi në NATO dhe BE, garanci për të drejtat e shqiptarëve
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, është takuar në Bruksel me eurokomisionerin, Johanes Hahn...

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, është takuar në Bruksel me eurokomisionerin, Johanes Hahn, të cilin e ka njoftuar se Qeveria, ku bën pjesë edhe PDSh, po bën hapa drejt një angazhimi serioz në zbatimin e reformave.
Thaçi theksoi se hapja e kapitujve 23 dhe 24 do të jetë ndihmesë e madhe në reformat në gjyqësor dhe sigurinë në Maqedoni. Sipas tij, qeveria ka kapacitet të organizojë referendumin dhe të bëjë ndryshimet e kërkuara kushtetuese për të arritur afatet kohore për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe BE.
“Besoj se do ta fitojmë datën, por besoj se dhe ne do të kryejmë obligimet tona deri në tetor, të organizojmë referendumin dhe ndryshimin e Kushtetutës dhe kemi shpresë se në muajin korrik do të fitojmë ftesën për anëtarësim në NATO. Komisioni Europian dhe Bashkësia Ndërkombëtare po i përmbushin të gjitha premtimet ndaj Maqedonisë, unë jam me bindje se edhe Qeveria e Maqedonisë do t’i përmbushë premtimet”,- u shpreh kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Marrëveshja është mirëpritur nga shqiptarët e Maqedonisë sepse ata kanë qenë shumë të durueshëm në këtë proces, thotë Thaçi, sipas të cilit, integrimi i vendit padyshim se përshpejton edhe çështjen e barazisë së shqiptarëve në Maqedoni.
“Unë mendoj se jo vetëm marrëveshja e Ohrit, por edhe të drejtat e shqiptarëve do të lëvizin shumë më shpejt për shkak se ato të drejta nuk janë jashtë standardeve të funksionimit të NATO-s dhe BE-së, por ngel edhe më tutje që partitë shqiptare të jenë kujdestarët e ecjes përpara të Maqedonisë se këtu është populli shqiptar që duhet të gëzojë të drejta që i kanë të tjerët”,- theksoi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi vlerëson se marrëveshja me Greqinë do të ndihmojë në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe PDSh do t’i japë përkrahjen e saj të plotë reformave dhe proceseve integruese të vendit. (Flutura Latifi, TVM2)
