Grupi i Vishegradit: Çelja e negociatave duhet filluar në çdo çast
Grupi i Vishegradit mbështet fuqishëm zgjerimin e BE-së...

Grupi i Vishegradit mbështet fuqishëm zgjerimin e BE-së. Javën që vjen, ata presin lajme të mira për Maqedoninë sa i përket çeljes së negociatave me BE-në teksa marrëveshja me Greqinë, sipas tyre, do të jetë në nxitje shtesë në këtë drejtim, tha ambasadori i Sllovakisë, Henrik Markush, me rastin e pranim-dorëzimit të presidencës së Grupit të Vishegradit.
“Hapja e negociatave duhet të fillojë në çdo rast dhe kjo marrëveshje siguron një nxitje të madhe në këtë drejtim. Konsiderojmë se Maqedonia është shtet që mund të vazhdojë shumë shpejt me integrimin në BE, është një shembull i mirë në rajon. Ne duhet që ta sjellim gjithë rajonin në BE”,- theksoi ambasadori i Sllovakisë, Henrik Markush.
Përveç zgjerimit të BE-së, çështja e sigurisë, zgjidhja afatgjate e problemeve me emigrantët, promovimi i unitetit dhe respektimi i dallimeve do të jenë pjesë e prioriteteve të presidencës sllovake me Grupin e Vishegradit në 12 muajt e ardhshëm. Fokusi do të jetë në energjinë, ushqimin, ndryshimet klimatike si dhe zgjidhjet digjitale të mençura dhe inovacionet.
Presidenca hungareze përfundon zyrtarisht më 30 qershor, ndërsa Sllovakia do të kryesojë nga 1 korriku. (Naim Ramadani,TVM2)
