Kumanovë, edicioni i parë i manifestimit kulturor “Pena Ime”
Nën organizim të Klubit të shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, mbrëmë në qytetin e Kumanovës...

Nën organizim të Klubit të shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, mbrëmë në qytetin e Kumanovës filloi edicioni i parë i manifestimit kulturor “Pena ime”. Të pranishëm në këtë manifestim ishin artistë e artdashës.
Drejtori i manifestimit, Fatos Rushiti, tha se përmes festivalit “Pena ime”, synojnë t’i sfidojnë artistët, e sidomos ata të gjeneratave më të reja, që të tregojnë vlerat e tyre të pashprehura.
“Kumanova gjithmonë është shquar me emra të artit e kulturës të cilët i kanë tejkaluar kufijtë tanë. Zaten arti dhe kultura nga vetvetiu janë të pakufishëm. Klubi i shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” si një ndër klubet më të vjetra në këtë veprimtari dhe e cila rreth vetes mbledh figurat më të njohura të artit dhe letërsisë shqiptare, sivjet ka vendosur që përmes festivalit “Pena ime” të sfidojë artistët e sidomos ata të gjeneratave më të reja që të tregojnë vlerat e tyre të pashprehura”,- deklaroi drejtori i Manifestimit “Pena Ime”, Fatos Rushiti.
Manifestimin e shpalli të hapur ministri i kulturës, Asaf Ademi, i cili theksoi nevojën e mbështetjes së aktiviteteve të tilla kulturore, të cilat nxisin konkurrencën pozitive në mes artistëve dhe shtojnë vlerat e tyre artistike.
“Kam përshtypjen se kultura është mënyra më e mirë që këtë zonë ta gjallërojë e t’i japë frymë dhe do të jetë ushqim, jo vetëm për ta mbajtur atë në jetë, por edhe për ta bërë diell që do të reflektojë gjithandej. Të nderuar organizatorë, të organizosh një manifestim artistik me këso përmasa është një arritje e jashtëzakonshme, aq më shumë se kjo është një ngjarje që organizohet për artistët që për mua janë qenie të veçanta që nuk të flasin me gjuhën e zakonshme të njerëzve të rëndomtë”,- theksoi ministri i kulturës, Asaf Ademi.
Në konkursin e artit figurativ kishte gjithsej 23 artistë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë. Në këtë ekspozitë janë përfshirë piktura, grafika dhe skulptura. Juria kishte vendosur që “Pena e artë për pikturë” t’i takojë autores, Afërdita Kiki, për pikturën “Pa titull”, e punuar në teknikën akril në pëlhurë; “Pena e artë për grafikë” iu nda Naim Idrizit, për grafikën me titull “Saksofonist”, punuar në akualintë dhe “Pena e artë për skulpturë” iu nda Ardian Kadriut, për skulpturën me titull “Gorgu”, punuar me gips të patinuar.
Manifestimi “Pena ime” vazhdon edhe gjatë ditës së sotme me festivalin e poezisë dhe gjatë ditës së premten me eventin kushtuar muzikës. (Fatlum Aqifi, TVM2)
