Hetohen shkaqet e zjarrit që shkaktoi vdekjen e 3 fëmijëve në Veles
Ende janë të paqarta rrethanat e shpërthimit të zjarrit gjatë ditës së djeshme në një shtëpi në paralagje të Velesit....

Ende janë të paqarta rrethanat e shpërthimit të zjarrit gjatë ditës së djeshme në një shtëpi në paralagje të Velesit, me ç’rast kanë vdekur tre fëmijë të moshës 4, 2 dhe 1 vjeç.
Nga Ministria për Punë dhe Politike Sociale njoftojnë se Komuna në bashkëpunim me Qendrën për Punë sociale do të merren me mbulimin e tërësishëm të harxhimeve gjatë ceremonisë së varrimit. Nga atje gjithashtu informojnë që prindërit e fëmijëve kanë qenë shfrytëzues të ndihmës sociale. Shpërthimi i zjarrit, i cili përfundoi me epilog tragjik, ndodhi pasditen e djeshme në një shtëpi të improvizuar dhe të ndërtuar pa leje në një paralagje të qytetit të Velesit.
Sipas të dhënave fillestare të prokurorit publik, prindërit fëmijët i kanë mbyllur paraprakisht me çelës dhe kanë shkuar në dyqan për të blerë. Dhe gjithmonë sipas të dhënave fillestare që disponon deri në këto momente prokuroria, brenda kohës që fëmijët kanë qenë të mbyllur, për prokurorinë është e paqartë se si mundi që të shpërthejë zjarri në një objekt në të cilin nuk ka pasur të instaluar fare energji elektrike e as ujë. Andaj priten hulumtime shtesë për gjetjen e dëshmive të reja të cilat do të çojnë në pistën e saktë se për çfarë arsye shpërtheu zjarri tragjik i cili mori jetën e tre fëmijëve të mitur.
Mediat lokale menjëherë pas shpërthimit të zjarrit kanë shkruar për ngjarjen tragjike si dhe për lokacionin e shtëpisë në të cilën ka ndodhur zjarri. Sipas të dhënave të publikuara, shtëpia gjendet në terren pa qasje në Veles, gjë që e ka rënduar intervenimin e ekipeve të zjarrfikësve. Vendi, sipas mediave është ndërtim i egër.
Informatat thonë se bëhet fjalë për familje e cila është në gjendje të rëndë financiare, e cila ka improvizuar vendbanim dhe aty ka jetuar rreth 2 vjet. Zjarrin e kanë parë fqinjët të cilët kanë qenë larg qindra metra nga shtëpia. Policia është në terren dhe po kryen ekspertizë për zbardhjen e arsyeve të zjarrit. (Merita Gashi, TVM2)
