Marrëveshja për emrin, rrjedhin afatet, “topi” në oborrin e Ivanovit
Prej dje, ka filluar të rrjedhë afati 7 ditor brenda të cilit presidenti Ivanov....

Prej dje, ka filluar të rrjedhë afati 7 ditor brenda të cilit presidenti Ivanov është i obliguar të nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, që do t’i rihapte rrugë publikimit të tij në Gazetën Zyrtare.
Ligji prej dje qëndron në tryezën e Ivanovit, por deri në këto momente nuk ka asnjë koment zyrtar nga presidenca se si do të veprojë presidenti. Nuk pritet që ai të vendosë firmën e tij në marrëveshje, pasi dje bëri të qartë se për asnjë çmim nuk do ta firmosë dekretin. Madje sfidoi edhe kryeministrin Zaev për të siguruar 82 votat e domosdoshme për impiçment.
Kur të mbarojë afati, ligji i padekretuar i kthehet sërish parlamentit dhe rivotohet me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Në këtë rast, Ivanovi është i obliguar ta nënshkruajë. Por, presidenti ka refuzuar detyrimin e tij kushtetues edhe për Ligjin e gjuhëve që iu rikthye i votuar nga shumica.
Kjo pritet të ndodhë edhe me Ligjin për ndryshimin e emrit. Kushtetuta nuk jep alternativë se si të veprohet në rastin e mosdekretimit për herë të dytë të një ligji nga presidenti. Nëse nuk gjendet zgjidhje ligjore, Ligji për emrin mund të ketë fatin e njëjtë si ligji për gjuhët.
Ekspertët më shumë herë kanë sqaruar se Ligji mund të publikohet nga Gazeta Zyrtare vetëm me firmën e kryeparlamentarit Xhaferi, me shpjegim ku do të citohet se presidenti i shtetit ka vepruar në kundërshtim me obligimin kushtetues të nenit 75 dhe nuk e ka nënshkruar dekretin e ligjit as pas votimit të tij për herë të dytë.
