Punësimi në administratë, anketa e “Brima”-s: Ekzistojnë ndikime partiake
Tek qytetarët ende ekziston përshtypja se mungon transparencë gjatë punësimit në administratë...

Tek qytetarët ende ekziston përshtypja se mungon transparencë gjatë punësimit në administratë veçanërisht pas zgjedhjeve, njofton “TVM2”.
Pjesa më e madhe e të anketuarve besojnë se dominojnë ndikimet partiake, korrupsioni dhe nuk ekzistojnë shanse fer për të gjithë për t’u pranuar në aparatin shtetëror. Hulumtimi i Agjencisë “Brima” thotë se e nevojshme është që të punohet në përmirësimin e përzgjedhjes gjatë punësimit sipas meritave, duke u bazuar në aftësi profesionale.
“I ulët është perceptimi për t’i parë gjërat pozitivisht. Perceptimi për administratën publike dhe procesin e punësimit është shumë negativ që na detyron të mendojmë që edhe në rast se ekzistojnë reforma të reja, e gjithë kjo do të has në barriera”,- tha Fani Qimova nga Agjencia “Brima”.
PAVLEVSKI: FOKUSI NË SHËRBIMET CILËSORE
Nga pushteti vendor thonë se 12 vitet e fundit administrata është dyfishuar nga tre mijë në gjashtë mijë të punësuar. Sipas tyre, fokusi duhet të vihet në dhënien e shërbimeve cilësore, pasi që nga ajo varet funksionimi i suksesshëm i administratës.
“Kjo na inkurajon në rrugën që kemi nisur, në profesionalizimin e plotë të administratës publike”,- u shpreh zëvendësministri i pushtetit vendor, Dejan Pavlevski.
ZHAGAR: GATI STRATEGJIA PËR REFORMA
Në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë thonë se është përgatitur strategjia për reforma në administratë për pesë vitet e ardhshme.
“Ta përzgjedhim kandidatin i cili ka shumë kompetenca për atë vend pune, dhe kur flas për kompetenca mendoj për kualifikime profesionale, por për të gjitha shkathtësitë e nevojshme që të kemi administratë të shpejtë, efektive dhe profesionale.” - tha Biljana Zhagar, këshilltare në ministrinë për shoqëri informatike dhe administratë.
Hulumtimet tregojnë se pas zgjedhjeve me ndërrimin e pushtetit, zakonisht po ndërrohet edhe 90% e udhëheqësisë së administratës. (Meral Ismaili, TVM2)
