Athina pret Shkupin, letra për Brukselin ende e pafutur në zarf

21.06.2018 18:09

Në Bruksel ende nuk është nisur asnjë letër nga Athina zyrtare...

Në Bruksel ende nuk është nisur asnjë letër nga Athina zyrtare, për mbështetje të  fillimit të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Në Athinë situata vazhdon të jetë e nxehtë dhe debati për marrëveshjen nuk po zbutet. Grekët e Pavarur, që vazhdojnë të kundërshtojnë marrëveshjen kërkojnë që parlamenti të votojë me 180 vota, e jo me 151 sa do të duhej sipas procedurave.

Nëse Cipras nuk e pranon propozimin për 180 deputetë, atëherë ne nuk do të qëndrojmë në Qeveri kërcënojnë nga partia “Grekët e pavarur”. Edhe Demokracia e Re mbetet kokëfortë në qëndrimin se nuk do ta ratifikojë Marrëveshjen. Ata thonë se përgjegjësinë për nënshkrimin e saj duhet ta mbajnë ata që vunë firmat.

E Majta demokratike mbështet Syrizën. Kjo e fundit thotë se e ka shumicën e nevojshme për ta ratifikuar marrëveshjen. Parlamenti grek do të fillojë procedurën e ratifikimit, vetëm pasi Shkupi të mbajë referendumin në vjeshtë dhe të kryejë ndryshimet kushtetuese.