Emigracioni në SHBA, mënyrat e hyrjes pa dokumente në Amerikë
Vazhdon të mbetet temë mediatike politika amerikane për zero tolerancë....

Vazhdon të mbetet temë mediatike politika amerikane për zero tolerancë ndaj emigrantëve të paligjshëm. Por si hyjnë këta njerëz në kufijtë amerikanë?
Ka dy mënyra për të hyrë në Shtetet e Bashkuara: Imigrantët prezantohen para një zyrtari të imigracionit dhe kërkojnë strehim, duke deklaruar se “kanë frikë nga persekutimi” në vendet e tyre të origjinës. Ata i nënshtrohen dy intervistave nga dy zyrtarë të ndryshëm, të cilët duhet të konfirmojnë se frika e tyre ka bazë.Politika e deritanishme ka qenë që imigrantëve u vihen monitorë tek kyçi i këmbës, si dhe u jepet një njoftim për t’u paraqitur në gjykatën e imigracionit. Pastaj ata lihen të lirë të jetojnë në mesin e popullsisë, një politikë që quhet “kap dhe liro”.
Nëse kapen, imigrantët që përpiqen të hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara përmes porteve të hyrjes, arrestohen; ndaj tyre ngrihen akuza kriminale dhe dërgohen tek një qendër procesimi. Atje fëmijët ndahen nga prindërit, ngaqë ligji amerikan nuk lejon që një fëmijë të mbahet së bashku me prindin në një burg federal. Prindërit vendosen në një qendër ndalimi dhe fëmijët çohen në një strehë, ku ata përballen me trajtimin e rastit të tyre të imigracionit.
Personat e arrestuar në kufirin mes porteve të hyrjes, akuzohen për hyrje të paligjshme dhe ndiqen penalisht në një gjykatë kriminale. Dënimi maksimal për një individ që hyn në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, është 6 muaj, në se e ka për herë të parë dhe dy vjet për çdo shkelje të përsëritur.
Fëmijët e ndarë nga familjet e tyre mbahen përkohësisht në qendra për jo më tepër se tre ditë.Paskësaj, ata i dorëzohen Zyrës për Sistemimin e Refugjatëve(ORR), që është një agjenci brenda Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale. ORR i dorëzon fëmijët tek njëra prej 110 qendrave të strehimit, që operohen nga grupe jofitimiprurëse ku mbahen mesatarisht për më pak se 57 ditë.
Por mbrojtësit e të drejtave të fëmijëve thonë se disa prej tyre kanë qëndruar atje për muaj të tërë.Në fund, ORR i vendosin fëmijët së bashku me anëtarë të familjes, prindër të adoptuar, ose sponsorizues të tjerë. Nuk ka kufizim se sa kohë do të marrë për ta sistemuar një fëmijë në një shtëpi.Por nuk ka një proces zyrtar, apo kanal të qartë për të mësuar vendndodhjen e prindërve dhe fëmijëve dhe se disa prindër janë deportuar kundër dëshirës së tyre, pa fëmijët.
Imigrantët që hyjnë në mënyrë të paligjshme, ka raste që kërkojnë edhe azil.Nëse azilkërkuesit i kapërcejnë intervistat e para, ata tranferohen tek qendra e Imigracionit, në pritje të seancës së tyre gjyqësore, që mund të marrë muaj të tërë. Në se imigranti fiton azilin, atij i jepet statusi i refugjatit nga një gjykatës federal. Në se azilkërkuesi nuk është në gjendje të japë prova për “frikë të besueshme”, ai deportohet në vendin e tij dhe i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për 5 vjet.
