BDI: Ivanovi nuk e ka legjitimitetin e shqiptarëve
Në takimin me ambasadorin e ShBA-ve Pol Volers, Ahmeti ka theksuar se shumica absolute e shqiptarëve nuk ka votuar në zgjedhjet presidenciale dhe nuk ndjehet e përfaqësuar nga Presidenti aktual, të cilit i mungon legjitimiteti i votës shqiptare...

Në periudhën kur Presidenti i Republikës po përballet me problemin për formimin e Këshillit për Siguri Nacionale, lideri i BDI-së Ali Ahmeti edhe një here ka përsëritur se presidenti Ivanov është president i një partie dhe nuk përfaqëson shqiptarët.
Në takimin me ambasadorin e ShBA-ve Pol Volers, Ahmeti ka theksuar se shumica absolute e shqiptarëve nuk ka votuar në zgjedhjet presidenciale dhe nuk ndjehet e përfaqësuar nga Presidenti aktual, të cilit i mungon legjitimiteti i votës shqiptare.
"Në zgjedhjet Presidenciale të 13 dhe 27 prillit, shqiptarët u përcaktuan kundër konceptit të zgjedhjes së Presidentit një partiak dhe u përcaktuan për konceptin e konsensualitetit, pajtimit dhe të përfaqësimit të barabartë në institucionin e Presidentit. Në mungesë të legjitimimit nga ana e elektoratit shqiptar, presidenti aktual nuk mund të pretendojë që i përfaqëson edhe shqiptarët dhe të sjell vendime edhe në emër të tyre”- ka thënë Ahmeti.
Ndërkaq, shefi i kabinetit të Ahmetit, deputeti Artan Grubi, ka hedhur poshtë pretendimet e së përditshmes DNEVNIK, në shkrimin me titull:”BDI heshturazi e bojkoton Ivanovin, në praktikë pret funksione”, e cila citon Grubin të ketë deklaruar se BDI duhet të ketë përfaqësues në Këshillin e Sigurimit sepse BDI nuk e njeh legjitimitetin e Ivanovit, por e njeh institucionin President.
“Asnjëherë nuk kam deklaruar ashtu dhe e lartëpërmendura nuk e paraqet qëndrimin tim e as të partisë dhe konsideroj që përsëritja e qëndrimit joekzistues bëhët për qëllime joparimore” – shkruan Grubi në reagimin e tij.
Sipas tij gazeta pretendon të imponojë qëndrimin e saj dhe të nxit përplasje të paqena. Grubi sqaron se është e drejtë e BDI-së të vendos nëse do të delegojë përfaqësues ose do të bojkotojë ndonjë institucion të caktuar, pasi kjo parti ka fituar legjitimitetin e shumicës së elektoratit shqiptar në zgjedhjet e fundit.
“Gjithashtu gjykoj që ne nuk mund të mohojmë të drejtën, e cilitdo udhëheqës të institucioneve në shtet që të propozoj përfaqësues, përfshirë edhe shqiptar, por në atë rast, ai shqiptar ose ajo do ta përfaqëson vetëm drejtuesin e atij institucioni nga, i cili propozohet si dhe veten e vet, por në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë popullin shqiptar në Maqedoni.” - shkruan Grubi në reagimin e tij. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
