Botë

Presidenti turk betonon pushtetin, Erdogan: Fitoi demokracia dhe populli

25.06.2018 16:53

Rexhep Tajip Erdogan fitoi një mandat te ri 5 vjeçar pas triumfit që në raundin e parë...

Njeriu që e ka dominuar politiken turke për më shumë se një dekadë, me fitoren e tij, mund ta zgjeroje ndjeshëm pushtetin e vet.
 
Mediat shtetërore thonë se Erdogani mori 53% nga 99% të votave të numëruara, ndërsa rivali i tij më i afërt, Muharrem Ince vetëm 31%. Pas perfundimit  te votimit, Erdoan, tha se fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare janë demokracia dhe populli i Turqisë. 
 
“Fitues i këtyre zgjedhjeve janë demokracia, vullneti i qytetarëve, fitues është populli. Populli në zgjedhjet me vendosmëri qëndroi në mbrojtje të lirisë dhe ardhmërisë së vet. Populli i cili dje me duarbosh ndaloi tanket, topat, avionët, helikopterët dhe puçistët e armatosur, po me ato duar sot qëndroi në mbrojtje të lirisë dhe ardhmërisë së vet. Fitoi Turqia, populli turk, por edhe të gjithë njerëzit e shtypur në botë Turqia ka zgjedhur luftë vendimtare kundër të gjitha organizatave terroriste, nga PKK deri te FETO. Ne do të rrisim reputacionin ndërkombëtar të vendit tone”, tha Rexhep Tajip Erdogan.
 
Opozita ka pranuar humbjen, por thotë se pavarësisht të gjithave, do të vazhdoje luftën demokratike.
 
“Për ne janë reale rezultatet e të dhënave zgjedhore të shkruara në këto procesverbale. Nuk ka dallim mes procesverbaleve të ofruara nga anëtarët tanë dhe të dhënave që publikoi Komisioni i Lartë Zgjedhor", Muharrem Ince, kandidati i partisë popullore republikane.
 
Kushtetuta e ndryshuar e Turqisë shkrin postin e kryeministrit dhe kompetencat e tij ia kalon Kreut të Shtetit. Ndryshimet u miratuan me referendum vitin e kaluar nga 51% e zgjedhësve dhe duhet të hyjnë në fuqi pas votimeve të së dielës.
 
Kritiket argumentojnë se në këtë mënyrë, do të ketë shume pushtet të përqendruar në duart e një personi të vetëm dhe se sistemit të ri turk i mungojnë elementet balancues e ato verifikues qe gjendet në presidenca të tjera ekzekutive si ajo e Francës apo të SHBA-ve.