Presidenti Ivanov nuk e vuri firmën, marrëveshjen e kualifikon si vepër penale
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, informoi Kuvendin se ka sjellë vendim....

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, informoi Kuvendin se ka sjellë vendim që të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, me të cilën parashihet ndryshimi i emrit kushtetues nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, një nga shtyllat e programit të tij zgjedhor në vitin 2014 ishte që të mos pranojë ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues dhe për programin e tij kanë votuar 534.910 qytetarë. Ai thekson se: “Ligji për ratifikimin e marrëveshjes nuk përputhet me nenin 51 amendamentin 118 dhe 119 nga Kushtetuta e Maqedonisë dhe marrëveshja e vendos Maqedoninë në pozitë të përulur dhe të varur kundrejt një shteti tjetër, respektivisht Republikës së Greqisë, që është e dënueshme sipas nenit 308 të kodit penal” .
Në vendimin, ashtu siç sot e dërgoi kabineti i Ivanovit, janë të parashtruara arsyet për shkak së cilës presidenti nuk e ka nënshkruar dekretin.
“Nuk kam mandat që të nënshkruajë dekret për shpalljen e ligjit për ratifikim të kësaj marrëveshje. Njëri nga themelet e programit tim politik në vitin 2014 është se “nuk pranoj ndryshim të Kushtetutës me qëllim të ndryshimit të emrit. Nuk pranoj ide ose propozime që do ta rrezikonin identitetin nacional maqedonas, veçantinë e nacionalitetit maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin e bashkëjetesës maqedonase. Marrëveshja del jashtë përfshirjes së rezolutave 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, për atë që në to flitet për “dallimet rreth emrit të shtetit” dhe jo për “dallimet” që flet kjo marrëveshje. Marrëveshja nuk ka bazë kushtetuese dhe nuk është ratifikuar në pajtueshmëri me Kushtetutën. Sipas nenit 118 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe janë pjesë e rendit të brendshëm juridik”.
Në arsyetimin e tij, Ivanov përkujton se sipas nenit 308 nga Kodi Penal: “Qytetari i cili e vendos Republikën e Maqedonisë në varësi ndaj një shtetit tjetër, do të dënohet me burg prej më së paku 5 vjet burg. Hyrja në fuqi e këtij ligji krijon pasoja juridike që janë bazë për vepër penale”,- thuhet në sqarim.
Marrëveshja kaloi votimin e parë në kuvend më 20 qershor me 69 vota “për”, pa asnjë “kundër” dhe të “përmbajtur”.
Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, në rast të vetos së presidentit, ligji përsëri rikthehet në procedurë kuvendore, por atëherë do të duhet të votohet me shumicë absolute nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjegjësisht do të duhet që të marrë së paku 61 vota pro. Ligji në këtë rast përsëri i kthehet presidentit, i cili, sipas Kushtetutës, është i obliguar ta nënshkruajë. (Flutra Latifi, TVM2)
