Sereqi: Katolikët shqiptarë i kanë harruar të gjithë
38vjet më parë, më 26 qershor, vetëm 6 muaj pas marrjes së çmimin Nobel për Paqe, Nënë Tereza...

38 vjet më parë, më 26 qershor, vetëm 6 muaj pas marrjes së çmimin Nobel për Paqe, Nënë Tereza u shpall qytetare nderi e Shkupit, një mirënjohje e dhënë nga qyteti i saj i lindjes për të gjitha veprat humane që i bëri me dashuri dhe pa paragjykime, për më të varfrit e botës. 38 vjet më vonë, Shkupi sërish e harroi këtë përvjetor. Asnjë manifestim i vogël përkujtimi nuk u mbajt në këtë ditë, asnjë tufë lule nuk iu vendos përmendores së saj.
“Për këtë ditë u përpoqa diçka të bëj me institucionet tona shtetërore, por nuk munda. Duke falënderuar televizionin publik, kemi mundësi ta përkujtojmë këtë datë. Për mua por besoj për të gjithë, është nder që një shenjtore vjen nga shqiptarët”,- tha kronisti i jetës dhe veprës së Nënë Terezës, Anton Sereqi.
Por, Maqedonia nuk harroi sot vetëm këtë përvjetor, që ndoshta nuk ishte edhe aq i rëndësishëm për shoqatat qytetare apo politikanët. Maqedonia po harron edhe komunitetin e vogël të shqiptarëve katolikë, që me shekuj ruajtën fenë dhe gjuhën e të parëve edhe përkundër harresës. Ky komunitet i vogël fetar nuk dëgjon dot as në shqip fjalën e shenjtë, sepse edhe sot, në kishën e Nënë Terezës dhe Pjetër Bogdanit, mesha nuk mbahet në shqip për shkak të mungesës së vullnetit për të sjellë qoftë edhe nga Kosova apo Shqipëria një prift shqiptar.
“Në Maqedoni nuk bëhet shumë për ruajtjen e këtij komuniteti. Diçka lëvizi për shqiptarët ortodoksë që më parë nuk përmendeshin fare. Për ata po po, për ne shqiptarët katolikë asgjë asnjëherë nuk përmendet. Të vetmit katolikë në Maqedoni kanë qenë shqiptarë. Mjerisht sot ne nuk kemi as prift që të drejtojë meshat në gjuhën tonë. Edhe pse të gjithë qytetarët në Maqedoni kanë të drejtë të flasin në gjuhën e tyre, ne në kishën e Nënë Terezës e të Pjetër Bogdanit, dom Gaspër Gjinit, ne nuk mund të përcjellim meshën në gjuhën shqipe”,- tha kronisti i jetës dhe veprës së Nënë Terezës, Anton Sereqi.
Kombet e Bashkuara kanë shpallur tashmë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, në përkujtim të veprës së shqiptares së Shkupit Nënë Terezës, humanistes, shenjtores dhe nobelistes, të cilës, Shkupi i saj i lindjes ia harroi ditën kur vetë e shpalli “Qytetare nderi”. Ajo u lut në shqip që Zoti të na bekojë të gjithëve. Shqiptarja me zemër aq të madhe sa që i zinte brenda saj të gjithë të varfrit e botës, mbase ka zemër të na e falë edhe ne këtë harresë që ia bëmë edhe sivjet. (Migena Gorenca, TVM2)
