Maqedoni
Avokati i Popullit: Kushte çnjerëzore nëpër burgjet e Maqedonisë
26.06.2018 15:33
Pas vizitave të paparalajmëruara të Avokatit të Popullit në burgjet e Shkupit, Strumicës dhe Kumanovës...

Pas vizitave të paparalajmëruara të Avokatit të Popullit në burgjet e Shkupit, Strumicës dhe Kumanovës, u konstatua se në këto burgje mbretërojnë kushte tmerrësisht të këqija. Burgjet kanë mungesë serioze të personelit profesional që ndikon në realizimin e të drejtave të të burgosurve në procesin e risocializimit.
Burgu i Kumanovës ka mungesë edhe të ujit për pije, për çka të dënuarit dhe të paraburgosurit në çdo dhomë mbajnë ujë në shishe plastike. Kushtet e papërshtatshme, lagështia dhe ngrohja e pamjaftueshme janë vetëm disa nga arsyet për të cilat Avokati i Popullit ka rekomanduar masa urgjente.
"Bëhet fjalë për kushte çnjerëzore, të burgosurit shkojnë në tualet pa derë, higjiena është në nivelin më të ulët dhe të paraburgosurit i mohohet e drejta për kujdesin shëndetësor dhe ushtrimin e të drejtave të tjera gjatë kryerjes së masës së paraburgimit apo gjatë vuajtjes së dënimit me burgim nëpër institucionet përmirësuese-ndëshkuese”,- deklaroi zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska.
Në lidhje me emigrantët, Bajramosvksa theksoi se gjatë vitit të kaluar, ekipe nga Avokati i Popullit kanë vizituar 30 vende ku kanë qenë të vendosur emigrantët, pas së cilës është vërtetuar se policia i ka trajtuar në mënyrë johumane.
"Mekanizmi Kombëtar Parandalues në kuadër të institucionit tonë ka konstatuar trajtim johuman nga ana e Policisë ndaj refugjatëve, në mesin e të cilëve ka pasur gra dhe fëmijë, derisa ata janë transportuan me një automjet. Dhe ky përdorimi i forcës nga ana e Ministrisë së Brendshme nuk është e regjistruar në procesverbalet zyrtare”,- tha zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska.
Sa i përket pretendimeve për dhunë të ushtruar nga ana e policisë në protestat e javës së kaluar para Kuvendit, ajo tha se është hapur procedurë hetimore rreth sjelljes së Policisë gjatë asaj proteste.
ZEKIRJA MEXHITI
