Maqedoni
Seanca për rasti “Trajektorja”, PPS lëshon edhe 50 “bomba” për rastin
26.06.2018 16:51
Në Gjykatën Penale ka vazhduar dëgjimi i materialeve të përgjuara apo të ashtuquajturave “bomba” që tashmë janë prova të PPS-së për rastin “Trajektoria”....

Në gjykatë sot u dëgjua se si ish ministri i transportit dhe lidhjeve, Janakievski, koordinohej në tentimet për të gjetur opsionin më të përshtatshëm për të implementuar procedurat juridike me kompanitë kineze, për ndërtimin e akseve rrugore Miladinoc-Shtip dhe Kërçov-Ohër.
Janakievski qindra herë kishte biseduar për këtë çështje me bashkëpunëtorët e tij, me ambasadorin e Maqedonisë në Kinë, Oliver Shambevski, me ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, dhe ish ministrin e financave, Zoran Stavrevskin.
Prokuroria Speciale Publike në rastin “Trajektoria” akuzon katër ish zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së. Gruevski, Janakievski, Vlladimir Peshevski dhe ish drejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Lupço Georgievski, akuzohen se në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë tejkaluar autorizimet e tyre në përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e akseve rrugore, me çka bashkërisht kanë dëmtuar arkën shtetërore për të paktën 155 milionë euro.
Për rastin “Trajektorija” duhet të dëgjohen gjithsej 315 materiale të përgjuara, përmes të cilave PPS synon të dëshmojë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
REXHEP QAMILI
