Maqedoni

Çelja e negociatave, Holanda dhe Franca kundër, pritet vendimi i KE-së

26.06.2018 17:12

Dy ditë para samitit të Këshillit të Ministrave, kur do të vendoset fati i Maqedonisë për dhënien e datës së negociatave...

Dy ditë para samitit të Këshillit të Ministrave, kur do të vendoset fati i Maqedonisë për dhënien e datës së negociatave, shumica e vendeve anëtare të BE-së veç më kanë qartësuar pozicionet e tyre. Në këtë vendim, peshën e rëndë për arritjen e konsensusit brenda BE-së e bart Franca, shtet ky të cilit nuk i mjaftojnë reformat në Maqedoni. Megjithatë, presidenti francez, Macron, ka deklaruar se vendimin përfundimtar do ta shpalos të premten në samit. Edhe Holanda mendon se Maqedonia duhet të shënojë akoma progres. 
 
“Ne shpresojmë që të bëhet e mundur dërgimi i sinjalit që negociatat të fillojnë me të dy vendet, por është e rëndësishme që ato të tregojnë rezultate të mëtejshme në forcimin e shtetit ligjor. Ne nuk mbështesim ende një dritë jeshile sot, pasi edhe pse ka progres, progresi nuk është i mjaftueshëm. Ne duam të shohim gjurmën e provave në luftën kundër korrupsionit dhe shtetin ligjor”,- deklaroi ministri i jashtëm i Holandës, Stef Blok.
 
Gjermania,  Austria dhe Luksemburgu, shpresojnë që Holanda dhe Franca të ndryshojnë mendim.
 
“Qeveria gjermane është gati të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian. Ne jemi gati që të dërgojmë një dritë jeshile dhe inkurajojmë miqtë tanë në Holandë dhe Francë që të na bashkohen. Shqipëria duhet të përmbushë disa kushte dhe Komisioni Europian dhe Këshilli Europian duhet të kontrollojë përmbushjen e tyre. Më pas do të jetë vijë sërish e Këshillit Europian që të vendosë për hapjen e kapitujve të bisedimeve të anëtarësimit. Unë shpresoj që ne do japim dritën jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë sot”,- tha ministri i jashtëm i Gjermanisë, Michael Roth.
 
“Ne kemi qenë gjithnjë në favor të zgjerimit me vendet e Ballkanit. Kjo përfshin Maqedoninë dhe Shqipërinë, por në këtë fazë ka ende kundërshtime. Ka ende mundësi për një konsensus sot dhe ne po punojmë fort për të. Ne e shohim këtë çështje si një çështje e negociata në vijim dhe shpresojmë të gjejmë një konsensus sot”,- u shpreh ministri i jashtëm i Austrisë, Gernot Blümer.
 
“Personalisht, mendoj që bëjmë gabim që nuk marrim një vendim të qartë për Shqipërinë dhe Maqedoninë sot. E di që ka disa kundërshtime. Ne u kemi dhënë statusin e vendit kandidat në 2014 Shqipërisë dhe Maqedonisë në 2005. Për mua është një gabim politik që të mos merret një vendim sot, por ndoshta do të gjejmë një zgjidhje së bashku”,- tha ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn.
 
Edhe komisioneri, Johanes Hahn, dhe kryediplomatja europiane, Federika Mogerini, të hënën u bënë thirrje vendeve të Unionit të hapin negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë, duke shpërblyer kështu përpjekjet e të dy vendeve dhe duke dhënë sinjal pozitiv për gjithë rajonin.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU