Maqedoni
Rentabiliteti i ulët i ndërmarrjes, jep dorëheqje drejtori i parkingjeve në Tetovë
26.06.2018 17:55
Drejtori i Parkingjeve në Tetovë, Fejsal Behadini, dha dorëheqje pasi ndërmarrja që drejtonte ka pasur rentabilitet të dobët këtë vit....

Ndërmarrja “Parkingjet e qytetit” u formua tre vite më parë dhe ka të punësuar gjithsej 75 punëtorë, të cilëve sipas informatave nga kjo ndërmarrje, iu kanë borxh dy rroga. Por, nga komuna e Tetovës mohojnë zërat se dorëheqja ka të bëjë me rentabilitetin e dobët, por thonë se është pjesë e ndryshimeve kuadrovike. Fazliu pranon se ndërmarrja ka borxhe por e konsideron këtë si normale.
“Ne ndërmarrjet publike i kemi menaxhuar në mënyrë solide, me problemet me vështirësitë që kemi pasur dhe normalisht ndryshimi i drejtorit është si pasojë e inercionit të fitores së mandatit të dytë që ne e menduam se rrotacioni dhe emërimet e reja janë një dinamikë e re për institucionet të cilat i menaxhon dhe administron komuna e Tetovës. Çdo institucion në Republikën e Maqedonisë unë nuk e di se ka borxhe, sepse janë të brishta, si të tilla, por ne kemi menaxhuar në mënyrë solide me të gjitha institucionet”,- u shpreh zëdhënësi i komunës së Tetovës, Armend Fazliu.
Behadini në këtë post ishte që nga viti 2015, kur edhe filloi aplikimi i parkimit zonal në komunën e Tetovës.
VISAR SADIKI
