Maqedoni

Vendimi “kundër” i presidentit, Zyberi: Kuvendi i ka numrat për rivotim

26.06.2018 18:13

Vendimi i presidentit për të mos e dekretuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, është akt i parashikuar nga analistët vendorë...

Sipas analistit, Naser Zyberi, Ivanov ka bërë praktikë shkeljen e kushtetutës, pasi në disa raste mbi detyrimin kushtetues ka vënë vlerësimet dhe bindjet e veta, duke mos dekretuar ligje që i ka rivotuar Kuvendi.
 
“Kuvendi pa dyshim që ka shumicën e nevojshme dhe do ta rivotojë dhe në këtë mënyrë presidenti do të jetë i detyruar që ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e këtij ligji, kuptohet flas në korniza të kushtetutës, sepse presidenti edhe në të kaluarën ka dëshmuar se nuk i respekton dispozitat kushtetuese dhe bën shkelje të rëndë, duke refuzuar nënshkrimin e dekreteve për ligje të caktuara për të cilat ai mendon se janë antikushtetuese ose dëmtojnë interesat e RM-së”,- u shpreh eksperti juridik, Naser Zyberi.
 
Ligji për ratifikimin e marrëveshjes mund të ketë fatin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, respektivisht nuk do të mund të shpallet në Gazetën Zyrtare. Por, pa marrë parasysh këtë fakt, sipas Zyberit, Greqia është obliguar në bazë të Marrëveshjes dypalëshe që pas miratimit të Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvend të bëjë rekomandimet për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Unionin Evropian dhe rekomandimin për të ftuar Maqedoninë për t’u anëtarësuar në NATO. 
 
Marrëveshja me Greqinë do të hidhet në referendum në muajt e parë të vjeshtës. Pritet rezultat pozitiv, i cili do të paraqet presion shtesë si mbi presidentin, po ashtu edhe mbi opozitën maqedonase. Profesori universitar Mersel Bilalli, thotë se cenzusi për referendum është i lartë dhe është çështje që duhet diskutuar, aq më shumë që cenzusi për zgjedhjen e presidentit u ul nga 50+1 në 40%.
 
“Duke marrë parasysh rrethanat ekzistuese, ku kemi migracion serioz të popullsisë, pra, është vështirë që të mbërrihet një census aq i lartë sa çka evidencë në Listën Zgjedhore. E dyta, zgjedhja e presidentit me 40%+1 votë me siguri se jep të drejtë logjike që edhe sa i përket çështjes së referendumit që të mund ai census të rrëzohet pak. Dhe nëse bëjmë një analizë të thuktë mund të ndodh që kështu si është raporti që pakica të jetë shumicë dhe shumica të jetë pakicë. Pra ata që janë kundër referendumit apo marrëveshjes mund të jenë pakicë por realisht mund të jetë fitues dhe shumica e votuesve pro mund të jenë humbës. E gjithë kjo duhet të diskutohet seriozisht”,- tha profesori universitar, Mersel Bilalli.
 
Mbajtja e referendumit në shtator ose tetor është koha më e përshtatshme, konsideron Bilalli, pasi siç thotë, kështu mund t’u paraprijmë zhvillimeve vendimmarrëse të BE-së, që mbahen në nëntor. Ai parashikon, referendum të suksesshëm për këtë çështje dhe hapa konkret në procesin eurointegrues.
 
SHPËTIM NUREDINI