Obama: Kemi torturuar njerëz
Presidenti Barack Obama pranoi se Shtetet e Bashkuara "kanë torturuar disa njerëz", pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.....

Presidenti Barack Obama pranoi se Shtetet e Bashkuara "kanë torturuar disa njerëz", pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Obama pranoi se agjentët amerikanë të zbulimit kanë bërë veprime që binin në kundërshtim me vlerat amerikane, por shtoi se zyrtarët e sigurisë nuk e dinin në se një sulm tjetër terrorist ndaj SHBA do të ndodhte menjëherë dhe se ata ishin nën një presion të jashtëzakonshëm.
Presidenti i kërkoi amerikanëve të mos jenë shumë "moralizues" sot lidhur me situatën që ekzistonte në vitin 2001. Komentet e presidentit amerikan vijnë pasi Senati përgatitet të lëshojë një raport mbi programin e CIA për marrjen në pyetje të personave të dyshuar. Obama ka thënë se mjaft çështje janë trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme, por ka shtuar se është kaluar kufiri për taktikat që janë përdorur kundër terroristëve të 11 shtatorit.
“Edhe para se të vija në këtë zyrë isha tepër I qartë se pas sulmeve të 11 shtatorit, ne kemi bërë gjëra të gabuara,. Ne kemi bërë shumë gjëra të drejta por edhe kemi torturuar njerëz. Ne kemi bërë disa gjëra që janë në kundështim me vlerat tona. Dhe ku ne u pajtuam me teknikat e zgjeruara të marrjes në pyetje, teknika për të cilat unë besoj dhe mendoj se cdo njeri mendje kthjellët do ti cilësonte si torturë, ne e kaluam kufirin. Dhe këtë duhet ta kuptojmë e ta pranojmë. Dhe si vend ne duhet të marrim përgjegjësi për këtë me shpresën që të mos e përsërisim në të ardhmen” - deklaroi Obama.
Komentet e Presidenti amerikan janë një goditje ndaj ish-zyrtarëve, si edhe 200 personave që punojnë aktualisht në CIA, të cilët kanë pasur një rol të rëndësishëm në marrjen në pyetje të të dyshuarve. Megjithatë ai ka konfirmuar besimin e tij ndaj drejtorit aktual të CIA-s, John Brenn.
Edhe në vitin 2009 Brack Obama kishte deklaruar se teknikat e marrjes në pyetje të personave të dyshuar janë të tepruara, por megjithatë, ai në atë kohë ishte shprehur se “duhet të shohim përpara dhe jo prapa”. (Migena Gorenca, TVM2)
