Maqedoni

Konkluzat e Këshillit të Unionit Evropian, Këshilli i përgjigjet pozitivisht progresit

27.06.2018 15:07

Maqedonia ka tejkaluar krizën e thellë politike përmes zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes së Përzhinës...

Maqedonia ka tejkaluar krizën e thellë politike përmes zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes së Përzhinës dhe ka shënuar progres të konsiderueshëm në prioritetet urgjente të reformës. Ndërkaq, mbajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, përfshirë zgjidhjen e negociuar dhe të pranuar në mënyrë reciproke për çështjen e emrit, Këshilli Evropian e cilëson si thelbësore.
 
“Duke pasur parasysh progresin e mësipërm, posaçërisht zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, prioritetet e reformës urgjente dhe momentin pozitiv të krijuar nga marrëveshja për çështjen e emrit me Greqinë, Këshilli pajtohet që t'i përgjigjet pozitivisht progresit të mësipërm të bërë nga ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe përcakton rrugën drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në qershor të vitit 2019.” – thuhet në konkluzat e Këshillit të Unionit.
 
Megjithatë, Këshilli nënvizon nevojën kritike për Maqedoninë që të vazhdojë të bëjë përparim konkret në prioritetet e reformës urgjente dhe të japë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit, duke ruajtur dhe thelluari momentin aktual të reformës. Për këtë qëllim, Këshilli i bën thirrje Komisionit që të monitorojë nga afër përpjekjet e mësipërme të Maqedonisë në zbatimin e reformës dhe se do të vlerësojë progresin në bazë të raportit vjetor të Komisionit.
 
“Këshilli thekson që ky vlerësim i progresit duhet të përfshijë rezultate të tjera të prekshme dhe të qëndrueshme, duke u përqendruar veçanërisht në: - reformat gjyqësore dhe hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimet përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe nivelin e lartë; - reforma e shërbimeve të fshehta dhe të sigurisë; - reforma e administratës publike.”- thuhet në konkluzat e Këshillit.
 
Ndër të tjera, Këshilli vë në dukje progresin e arritur në realizimin e agjendës së reformave të BE dhe mirëpret rolin konstruktiv nga shoqëria civile. Këshilli kujton rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndëretnike, mbështet angazhimin e qeverisë dhe mirëpret hapat që janë ndërmarrë për të ndërtuar besim më të madh mes komuniteteve dhe për të zbatuar më tej Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Vendimi për çeljen e negociatave do t’i nënshtrohet miratimit nga Këshilli Europian për t’u pasuar menjëherë nga Konferenca e parë ndërqeveritare deri në fund të vitit 2019, në varësi të progresit të bërë. 
 
SHPËTIM NUREDINI