Botë

Anija “Lifeline” arrin në Maltë, merr fund odiseja e 234 emigrantëve

28.06.2018 12:33

Pas 8 ditësh qëndrimi në ujërat e Mesdheut, 234 emigrantët e shpëtuar në det nga anija Lifeline....

Pas 8 ditësh qëndrimi në ujërat e Mesdheut, 234 emigrantët e shpëtuar në det nga anija Lifeline e një organizate humanitare gjermane, kanë mbërritur në portin e Valletas në Maltë.
Pas vendimit të qeverisë italiane për mbylljen e porteve, kjo anije mbeti për shumë ditë në pritje të një porti për t'u zbarkuar.
 
Anija Lifeline u bë motivi i një tensioni të ri politik mes Italisë dhe Francës si dhe objekt diskutimi mes vendeve anëtare të BE mbi problematikën e fluksit të madh emigrator që ka pushtuar Europën.Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka akuzuar anijen Lifeline si të paligjshme e pa flamur lundrues e cila lundron në ujërat e Mesdheut në marrëveshje me trafikantët e qënieve njerëzore. 
 
Komandanti i anijes  dhe 9 anëtarët e ekupazhit janë marrë në pyetje, pasi  nuk iu bindën urdhërit të rojes bregdetare italiane dhe rrezikojnë një urdhër ndalimi nga drejtësia malteze. 234 emigrantët do të shpërndahen në 8 vende të ndryshme të Europës si në Itali, Holandë, Irlandë, Portugali, Francë, Maltë, etj por jo në Gjermani, vendi të cilit i përket organizata humanitare për të cilën vepronte anija Lifeline.