Maqedoni

Ftesa nga NATO për Maqedoninë, Stoltenberg: Kusht zbatimi i marrëveshjes

29.06.2018 12:13

Në Samitin e NATO-s më 11 dhe 12 korrik në Bruksel, Maqedonia do të marrë ftesë për fillimin e negociatave....

Në Samitin e NATO-s më 11 dhe 12 korrik në Bruksel, Maqedonia do të marrë ftesë për fillimin e negociatave për inkuadrim në Aleancë por një referendum i suksesshëm për Marrëveshjen me Greqinë dhe ndryshimet kushtetuese mbeten kushti kyç për anëtarësimin e plotëfuqishëm.
 
Sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me kryeministrin Zaev, i uroi këtij të fundit mirëseardhje në NATO dhe në Samitin e NATO-s që do të mbahet në korrik duke i rikujtuar kushtin për tejkalimin e pragut. 
 
“Në Samitin pas dy javë, pres që shefat e shteteve dhe qeverive të Aleancës do t’ju ftojnë që të filloni bisedimet për anëtarësim. Dhe kur do të plotësohen të gjitha procedurat nacionale për finalizimin e marrëveshjes, do t’i bashkangjiteni NATO-s. Pa finalizimin e marrëveshjes, vendi i juaj nuk do të mund t’i bashkangjitet NATO-s për një kohë të gjatë. Ky është shans historic që nuk duhet lëshuar", tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
 
 
Stoltenberg theksoi se procesi i anëtarësimit mund të shkojë shumë shpejtë, por për këtë është e domosdoshme që të përfundojnë të gjithë procedurat rreth Marrëveshjes me Greqinë. “Kjo do të thotë se ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë duhet të bëhen dhe pastaj mundemi ta ftojmë vendin që të inkuadrohet me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut”, porositi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
 
Ndërkaq, kryeministri Zoran Zaev tha se Maqedonia pret të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, dhe, sëshpejti, flamuri i saj të vihet në shtizë para selisë së Aleancës. Por, rikujtoi nevojën për unitet dhe referendum të suksesshëm.   
 
“Hap pas hapi, për një vit të vetëm vendi ynë e arriti atë që askush nuk mund ta parashihte. Qasja e jonë që bashkoi vullnet të fuqishëm politik, dialog të sinqertë dhe gadishmëri për zgjidhje këto ditë na solli më shumë lajme të gëzueshme dhe vendime. Mbeten detyrat tona por tani, me të vërtetë kemi rreth çfarë të bashkohemi në autostradën e gjërë dhe sëbashku të themi –Po, për të ardhmen tonë", tha Zoran Zaev, kryeministër.
 
Sipas Zaev, anëtarësimi në NATO i siguron Maqedonisë të ardhme të sigurtë dhe shoqëri në të cilat do sigurojë ambijent për rritje ekonomike dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë.
 
Një ditë më parë, Zaev takoi edhe kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe eurokomisari Johanes  Han nga të cilët mori përkrahje të plotë për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e  Maqedonisë në BE.        
 
SHPËRIM NUREDINI