Botë

Samiti i BE-së, arrihet marrëveshja për emigrantët

29.06.2018 13:03

Në orët e para të mëngjesit të sotëm u arrit ujdi në samitin e BE-së për emigracionin pas një nate të gjatë debati...

Në të ardhmen refugjatët e shpëtuar në det vendosen në kampe të mbyllura brenda BE.
 
Kishte shumë dyshime, nëse ky samit do të sillte suksesin e duhur, madje jo gjithçka është arritur, por një kompromis për çështjen e azilit po konsiderohet si sinjal pozitiv se BE është e aftë të bashkëpunojë. Por ujdia e arritur parashikon ashpërsimin e politikës së azilit, gjë që nënkupton forcimin e fortifikatës Europë edhe më tej në të ardhmen.
 
Kancelarja Merkel e përshëndeti rezultatin e arritur sot në orët e para të mëngjesit duke e cilësuar atë si “mesazh të mirë”. Ende kemi shumë punë për të bërë, tha Merkel, por “jam optimiste. Pas ditës së sotme, se ne mund të vazhdojmë të punojmë së bashku.” Edhe politikani i CDU-së dhe komisioneri i BE-së për buxhetin, Günter Oettinger u shpreh se “besoj që e gjitha është një hap i rëndësishëm dhe i madh.” Madje ai shpreson se kjo mund ta kënaqë edhe CSU-në, që i vuri afat Merkelit samitin e BE-së para se të fillojë me kthimin e refugjatëve në kufi.
 
Në të ardhmen refugjatët e shpëtuar në det vendosen në kampe të mbyllura brenda BE., por nuk është specifikuar, se cilat vende do t’i ngrenë këto kampe të mbyllura. Po ashtu Agjencia e BE për Mbrojtjen e Kufijve Frontexi do të forcohet me personel deri në vitin 2020. BE e kthen në prioritet mbrojtjen e kufijve të saj jashtëm.
 
Megjithëse në deklaratën përfundimtare të samitit është futur vetëm një klauzolë për ndalimin e emigracionit sekondar, kjo është një pikë që mund të ndihmojë Merkelin në grindjen me CSU, e cila e sheh këtë “turizëm azili.” Fjala është për refugjatët që shëtisin nga një vend i BE në tjetrin, dhe stacionohen aty ku është më mirë.
 
Asnjë azilkërkues nuk ka të drejtë të kërkojë sipas dëshirës vendin në BE ku dëshiron të qëndrojë. Ky është mesazhi i samitit. BE po kërkon po ashtu mundësi për ngritjen e kampeve edhe në Afrikë., ndersa  Libia i kundërshtoi  vendosjen e kampeve të reja në vendin e saj. 
 
MERITA GASHI