Maqedoni

Rasti “Toplik”, Janakievskit nuk i pëlqejnë dëshmitë e PSP-së

29.06.2018 15:25

Në Gjykatën Penale vazhdoi gjykimi për rastin “Toplik” të ngritur nga PSP, me paraqitjen e dëshmive me shkrim nga ana e prokurorit Burim Rustemi....

Janë mbi 600 dëshmi që PSP ka për këtë rast, ndërsa në gjykimin e sotëm u prezentuan dokumente nga institucionet shtetërore, ekspertiza dhe njoftime rreth lëndës. 
 
Por prezentimi i këtyre materialeve nuk u prit mirë nga mbrojtja e të dyshurit kryesor në këtë rast, ish ministrit të transportit Mile Janakievski. Ata reaguan për mënyrën se si prokurori i PSP-së paraqiti dëshmitë. Edhe vetë Janakievski kërkoi të komentojë dëshmitë e paraqitura. 
 
Gjykatësi i rastit, Osman Shabani, i përkujtoi ish ministrit, se të gjitha vërejtjet mund t’i paraqesë kur t’i vijë radha , pra në fjalët përfundimtare.  Sipas tij, vlerësimi i dëshmive është punë e gjykatës e jo e të akuzuarve. 
 
Në rastin Toplik, përvec ish ministrit Janakievski, akuzohen edhe Tome Gjurcillov dhe Dimitar Dimovski si dhe 4 persona të tjerë , anëtarë të komisioneve për furnizime publike pranë Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Sipas PSP-së, ata kanë keqpërdorur postin dhe kompetencat zyrtare, duke dëmtuar buxhetin e shtetit për afro 1 milion euro për shitjen e tokës në lokacionin “Qyteti i diellit” në Sopishte. 
 
GAZMEND KURTISHI