Maqedoni

Marrëveshja për emrin, Xhaferi: Seanca për rivotim, më 5 ose 6 korrik

29.06.2018 16:10

Javën e ardhshme do të votohet për herë të dytë ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin...

Javën e ardhshme do të votohet për herë të dytë ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin, që kreu i shtetit Ivanov nuk e dekretoi. Kryeparlamentari Xhaferi informon se me 5 ose 6 korrik ligji do të rivotohet dhe i bën thirrje Ivanovit që të reflektojë ndaj vullnetit të Parlamentit dhe ta dekrektojë të njëjtin.
 
Xhaferi nuk përjashton mundësinë që nëse presidenti nuk reflekton, edhe ligji për emrin por edhe ai për gjuhët, të dërgohen në gazetën zyrtare, pa nënshkrimin e Ivanovit. Megjithatë, Xhaferi ende shpreson se Ivanov do të ndryshoj mendjen dhe nuk do të përserisë të njëjtin gabim.
 
“Ne si Parlament do të kryejmë detyrën tonë që është me procedur që gjatë javës së ardhshme të rikthehet ligjin për ratifikimin e marrëveshjes në rivotim dhe në kontekst të obligimeve do të dërgohet përseri tek kreu i shtetit. Në bazë të rezultatit për vendimin që do ta ketë kundrjet asaj, dihet se nuk ka afat pas votimit të dytë, por Presidenti ka obligim që të dekretojë ligjin e rivotuar dhe nëse nuk ndodh ajo procedurat janë nën kompetencat e Parlamentit i cili ka obligim por edhe të drejtë Kushtetuese, që vendimet e veta ti zbatojë deri në fund, ashtu siç kanë obligim kushtetues institucionet tjera për t’i përcjellur procedurat e duhura dhe të respektojnë Kushtetutën dhe vullnetin e Parlamentit ta çojnë deri në fund”, tha Talat Xhaferi, kryetar i parlamentit.
 
Pas rivotimit të ligjit për emrin, Parlamenti më 17 korrik do të mblidhet për të zgjedhur përbërjen e përkohëshme të KSHZ-së, e cila do të ketë obligim organizimin e referendumit në vjeshtë. Nëse komisioni për zgjedhje dhe emrime më herët dorëzon listën e kandidatëve për të cilën është arritur konsenzus, atëherë kjo seancë mund të ricaktohet edhe më herët. Ende nuk ka një datë të saktë për mbajtjen e referendumit por sipas afateve ligjore, nëse Kuvendi voton deri në fund të korrikut, atëherë referendumi mund të mbahet në fund të shtatorit.
 
“Shpallja e datës së referendumit varet nga vendimi  se kur mbahet referendumi. Për sa i përket procedurës për atë, nga vendimi për shpalljen e referendumit deri në ditën e mbajtes së referendumit duhet të sigurohen minimum 60 e maksimum 90 ditë në këto korniza kohore duhet të zhvillohen gjitha aktivitetet për mbajtjen e referendumit”, tha Xhaferi.
 
Deri në këtë moment, partitë ende nuk kanë dorëzuar në kuvend emrat e tyre në Kuvend për anëtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. 
 
REXHEP QAMILI