Maqedoni
Lëvizja Besa – krahu i Kasamit: Pushteti kontrollon sistemin gjyqësor
29.06.2018 17:15
Lëvizja Besa, krahu i Bilall Kasamit, akuzon pushtetin për kontroll ndaj sistemit gjyqësor....

Nënkryetari Kastriot Rexhepi përmendi rastin e Almir Aliut ose të dhunës në kuvend më 27 prill, për të pasqyruar gjendjen aktuale të gjyqësorit, por padyshim që akuza më e rëndë drejtuar gjyqësorit ishte ajo për vendimin e fundit të gjykatës për rastin me Besën e Afrim Gashit. Rexhepi thotë se derisa gjyqësori nuk reformohet, Maqedonia do të vazhdojë të jetë larg proceseve Euroatlantike.
"E gjithë kjo ka për qëllim të na pamundësohet artikulimi i zërit opozitar në skenën politike duke dashur të na fokusojë të gjithë energjinë për të zhvilluar një beteje juridike, gjë që po ndodh për herë të parë në 28 vitet që nga pavarësia e Maqedonisë. A është ky shteti që duam? A është ky shteti i së drejtës dhe a është kjo për të cilën me muaj të tërë dolëm rrugëve për të protestuar pikërisht për padrejtësitë që i instaloi pushteti i kaluar dhe që fatkeqësisht me perfeksion i vazhdon pushteti aktual? Apelojmë deri te pushteti aktual që të heq dorë nga ndikimet politike dhe të punojë në reformimin e mirëfillte të gjykatave dhe sundimi i së drejtës të jetë shtylla kryesore që do integrojë Maqedoninë në BE. Deri sa kemi pushtet i cili drejtësinë e merr në duart e veta dhe shtyp opozitën shqiptare integrimi në BE do jetë vetëm një iluzion", tha Rexhepi.
