Maqedoni
“Eko Guerillas”, kërcënime që të heshtë për filtrat e “Jugohromit”
02.07.2018 15:16
Qindra mija euro i janë ofruar “Eko Guerillës” nga persona të panjohur vetëm e vetëm që kjo e fundit të heshtë në rihapjen e “Jugohromit”...

Qindra mija euro i janë ofruar “Eko Guerillës” nga persona të panjohur vetëm e vetëm që kjo e fundit të heshtë në rihapjen e “Jugohromit”, ka deklaruar kreu i kësaj organizate, Arianit Xhaferi.
Ai më tej tha se janë kërcënuar dhe u është kërkuar të heshtin, por Xhaferi thotë se më e rëndësishme se siguria e të kërcënuarve, është shëndeti i gjithë qytetarëve të Tetovës që vihet në rrezik me hapjen e “Jugohromit” pa vendosjen e filtrave.
“Lëvizja “Eko Guerilla” njofton opinionin se ditëve të fundit persona të ndryshëm kanë përcjellë porosinë bashkë me oferta financiare që “Eko Guerilla” të heshtë dhe mos të reagojë për “Jugohromin”. Kërcënimet kanë ardhur nga burime anonime, burime të cilat në këtë moment nuk janë aspak të rëndësishme a kanë të bëjnë me sigurinë tonë personale, në rrezik është e gjithë siguria e qytetarëve të Tetovës. Sa i përket shumës, bëhet fjalë për qindra mijëra euro, të cilat nuk mund të pranohen as që të diskutohen”,- theksoi Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.
Nga “Eko Guerilla” shprehin dyshime në lidhje me ndërtimin e filtrave dhe paralajmëruan zero tolerancë për këtë çështje, duke kërkuar edhe inspektim ndërkombëtar për ndërtimin e filtrave.
“Në këtë rast ne do të përshëndesim vendosjen e filtrave dhe kërkojmë që të respektohet ligji deri në fund, ai thotë shumë qartë, se duhet filtrat të vendosen dhe t’i përmbushin të gjitha standardet, dhe kjo duhet të behët me një garanci dhe me një inspektim me inspektorë ndërkombëtarë. Ne nuk kemi asnjë akses se çka ndërtojnë atje, ata mund të inskenojnë konstruksione të ndryshme, në themi që kjo mund të behët vetëm e vetëm me një inspektim të pavarur ndërkombëtar”,- tha Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.
Nga “Eko Guerilla” kanë paralajmëruar se do të njoftojnë edhe ambasadat e huaja për kërcënimet. Kombinati metalurgjik “Jugohrom” javë më parë ka filluar me ndërtimin e konstruktit të filtrave.
VISAR SADIKI
