Maqedoni

Presidenca e Austrisë me BE-në: Perspektiva evropiane e Ballkanit, prioritare

02.07.2018 15:45

Perspektiva e vendete të Ballkanit Perëndimor në BE është ndër prioritetet kryesore të presidencës së Austrisë....

Perspektiva e vendete të Ballkanit Perëndimor në BE është ndër prioritetet kryesore të presidencës së Austrisë me BE-në në gjashtëmujorin e ardhshëm, deklaroi në kuvend ambasadorja e Austrisë, Renate Kobler.

Stabiliteti dhe siguria në Ballkan sipas saj nënkupton edhe stabilitetin dhe paqen e BE-së, andaj Austria fuqishëm do të punojë në përparimin dhe ndërtimin e raporteve të mira me fqinjët e BE-së.

“Këto vende meritojnë perspektivë të qartë evropiane për anëtarësim në BE. Ne do të punojmë që të arrijmë rezultate konkrete në këtë proces, do ta vazhdojmë punën e mirë nga samiti i Sofjes. Gjithsesi, progresi patjetër të vlerësohet në bazë të kritereve dhe meritave individuale të shteteve. Ka datë të qartë, ka shumë punë para jush. Ejani të punojmë së bashku këtu”,- tha ambasadorja e Austrisë në Maqedoni, Renate Kobler.

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, duke e quajtur Austrinë mike të ngushtë të shtetit, tha se së bashku do të mund të arrijmë në vizionin evropian. Ai njëherit potencoi se për të shkuar punët sipas planit, nevojitet konsensus i brendshëm politik.

“Kjo është një nxitje e fuqishme për ne që të vazhdojmë në momentin pozitiv të reformave, të çojmë përpara dialogun politik dhe së bashku të rrugëtojmë deri në çeljen e negociatave në qershor 2019. Andaj them se me Austrinë jemi më të fuqishëm për kapërcimin e të gjitha sfidave. Tani më shumë se kurrë më parë kemi shansin historik, të bëjmë më shumë përparim në punën që e kemi nisur, në mënyrë që rezultatet t’i kemi argumente të pakthyeshme për çeljen e negociatave”,- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.

Përveç perspektivës së Ballkanit Perëndimor, përparësi e presidencës austriake do të jenë: migracioni ilegal, reformat në BE, dalja e Britanisë së Madhe nga Unioni dhe digjitalizimi. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)