Fleckenstein në Tiranë: BE nuk i vuri kushte të reja Shqipërisë

02.07.2018 18:13

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeti Knut Fleckenstein.....

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeti Knut Fleckenstein, mori pjesë në një diskutim, lidhur me atë çka pritet nga Shqipëria, pas 10 konkluzioneve të shpallura nga BE.

Mesazhi i parë i Fleckenstein ishte të mos ndalet puna për deri në çeljen e negociatave vitin e ardhshëm.

“Ka kushte, por nuk janë kushte të reja. Askush nuk duhet ndaluar së punuari deri në çeljen e negociatave. Duhet vazhduar puna me Vetingun, një ligj të mirë me reformën elektorale. Qeveria duhet të përshpejtoj këtë proces. Këto nuk janë kushte të reja. 25 nga 28 shtetet do të kishin thënë ok vazhdoni. 6 nga 8 grupet kanë thënë që të vazhdojnë me negociatat. Merkel ka bërë të pamundurën që ta bindë presidentin Macron. Do kishte qenë më e suksesshme po të kishte qenë përfundimi me i shkurtër. Urime dhe duke qenë serioz do kisha dashur që negociatat të kishin filluar një vit më parë por është një rezultat i mirë. Dhe ato që kanë qenë skeptike nuk e kanë bërë për Shqipërinë, por për të reformuar brenda njëri-tjetrin. Por disa shtete kanë thënë qe reformat brenda vetes duhet ti bëjmë me njeri-tjetrin”. – tha Flekenshtein.

Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, i bëri thirrje politikës shqiptare që të bashkohet, sepse në të kundër procesi i integrimit është shumë i vështirë.

“Do të keni një sfidë të madhe dhe kjo është politika. Ky proces kërkon që të ketë bashkim, jo bashkim retorik, jo bashkim në kuptimin e të folurit për objektiva të përbashkëta. Integrimi Europian nuk është për njerëz që kanë programe apo agjenda të fshehura. Është me rëdësi që të punohet për këtë unitet. Është përgjegjësi qoftë e shumicës dhe e pakicës. Mendoj se shumica duhet të shtrijë dorën gjithë kohën, sepse është e rëndësishme të krijojë një dialog për këtë bashkim kombëtar sepse pa këtë ky është një proces shumë i vështirë, thuajse i pamundur. Vendet e BE kanë njohur atë çfarë keni bërë dhe kjo mendoj se është e rëndësishme”. – tha Vlahutin

Ndërkohë Thorsten Frei, raportuesi i grupit parlamentar CDU/CSU në një intervistë për DW, thotë se vendimi i Brukselit për Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk mund të merret as si “Po” e as si “Jo”. Deputeti gjerman vlerëson se Berlini është pro çeljes së negociatave me Shqipërinë, pasi 57 gjyqtarë dhe prokurorë të kenë kaluar procesin e Vettingut. (Luljeta Ndoka, TVM2)