Maqedoni
Kuvend, marrëveshja për emri përplas pushtetin dhe opozitën
02.07.2018 18:27
Deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare në seancën e sotme parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve...

Deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare në seancën e sotme parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve, nuk e lëshuan mundësinë për ta pyeture kryeministrin Zaev rreth Marrëveshjes të cilën ai e nënshkroi me homologun e tij grek për emrin. Të njëjtit këtë marrëveshje e quajtën si të turpshme, ndërsa shprehën dilema nëse vendi ka marrë datën për fillimin e bisedimeve me BE-në.
“Athua vallë Maqedonia definitivisht ka marrë datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian? Kjo pyetje vjen në kontest dhe si rezultat i mbledhjes së fundit të Bashkimit Europian që u mbajt javën e kaluar, ku pas kësaj mbledhje Zaev pohonte se Maqedonia sigurisht do të marrë datë për fillim të negociatave, sepse BE po e vlerëson përparimin tonë”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Goran Manajllovski.
Vetë kryeministri Zaev u përpoq t’ua largojë deputetëve të VMRO-DPMNE-së dilemat, duke theksuar se BE po fillon skriningun dhe kapitujt të cilët kanë të bëjnë me integrimin e vendit në BE.
“Maqedonia ka marrë datë për fillimin e negociatave për në muajin qershor të vitit 2019 dhe sa herë që dëshironi atë ta përsëritni, por tani është koha që kjo të vërtetohet edhe nga pala neutrale, që është Komisioni Europian. Procesi i skriningut fillon më 17 korrik të këtij viti këtu në Maqedoni, kjo është një dëshmi se Maqedonia ka marrë datë për fillim të negociatave. Dëshmi po ashtu paraqet edhe fakti se Këshilli i ministrave të BE-së nuk do të kthehet më asnjëherë për t’i dhënë ose jo Maqedonisë datë për fillim të negociatave”,- tha kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Debatin e ashpërsoi fjalimi i deputetit të VMRO-së, Kërsto Jovanovskit, i cili ka kritikuar ashpër kryeministrin, Zoran Zaev, duke e cilësuar me epitetin tradhtar.
“Thoshte njëherë kryeministri ynë, se deri sa të jem gjallë dhe do ta thithë këtë ajër maqedonas nuk do të lejojë të ndryshohet emri kushtetues i vendit. Z. Zaev kur e keni thënë këtë fjali dhe kur jeni betuar tek stërnipat tuaj se nuk do ta ndryshoni emrin kushtetues, ndërsa më vonë thatë diçka tjetër, çka menduat?”,- theksoi Kërsto Jovanovski nga VMRO-DPMNE.
“Shumë është e qartë se të gjitha këto fjalë fyese mi drejtuat mua dhe kjo le t’u mbetet për nderë. Me këtë marrëveshje e kemi plotësuar aspiratën tonë shekullore të pasardhësve tanë që të keni shtet. Sepse ka etnitete që nuk kanë shtet, sepse deri më tani kemi qenë FYROM, apo Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë e çka tjetër jo”,- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
“Mbajeni në mend, aktori i mirë nuk mund të jetë politikan i dobët! Aktori i mirë, zotëri Zaev, para së gjithash fol drejtë, saktë për dallim prej jush që flisni këtu si një politikan i dobët”,- theksoi Kërsto Jovanovski nga VMRO-DPMNE.
Por, këtu ka ndërhyrë Talat Xhaferi, i cili kërkoi që gjakrat të qetësohen.
Ndërkohë, deputetët e shumicës parlamentare e përkrahën kryeministrin Zaev për këtë Marrëveshje, pohuan se kjo është një e arritur e madhe dhe se deputetët e opozitës e kanë zili pse të njëjtit nuk janë në vendin e tyre që ta kishin zgjedhë këtë çështje.
FITIM KRYEZIU
