Tentim-vrasja e Selës, më 5 korrik vendimi gjyqësor

02.07.2018 18:45

Të gjithë të akuzuarit për tentim-vrasjen e Ziadin Seles janë fajtorë dhe duhen dënuar....

Të gjithë të akuzuarit për tentim-vrasjen e Ziadin Seles janë fajtorë dhe duhen dënuar, tha në fjalët e tij përfundimtare prokurori, Darko Jakimovski. Nga trupi gjykues, Jakimovski kërkoi dënime për ta, duke sqaruar se ata kanë rrahur brutalisht Selën në Kuvend.

Jakimovski tha se të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm se deputetët janë nën rrezik, por asnjëri prej tyre, në asnjë moment, nuk është penduar, nuk është larguar nga vendi i ngjarjes dhe bashkërisht kanë kryer veprën penale tentim-vrasje. “Ngjarjet e 27 prillit sollën turp ndërkombëtar për Maqedoninë”, tha prokurori, i cili edhe njëherë rikujtoi se Sela i ka shpëtuar vdekjes për shkak se sulmuesit kanë menduar se ai kishte vdekur. Jakimovski i theksoi edhe pasojat fatale dhe trazirat që mund të kishin dalë në shoqëri pas vdekjes eventuale të deputetit Sela.

Avokati i të akuzuarve, Kire Georgievski dhe Nikollçe Dimitrievski, Donço Nakov, por edhe avokatët e të akuzuarve të tjerë, kërkuan lirim nga aktakuza. Nakov nuk pranon që Georgievski dhe Dimitrievski të gjykohen për tentim-vrasje, por vetëm për një goditje që ia kanë bërë Selës në korridor të Kuvendit, e jo në pres qendrën ku ai barbarisht është sulmuar.

“Fakt i pakontestueshëm është që i akuzuari, Aleksandar Janevski-Toshta, nuk është personi i cili e tërheq Ziadin Selën nga grupi i deputetëve dhe më vonë dorëzon atë tek sulmuesit. Për këtë arsye vlerësoj dhe shpresoj se veprën për të cilën ai ngarkohet nga prokuroria, duhet të hiqet si pa bazë dhe të lirohet nga akuza”,- tha avokati i Aleksandar Janevski-Toshtas, Bojan Vanevski.

Për tentim-vrasjen e Selës akuzohen Kire Georgievski, Oliver Oshakovski, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar Janevski - Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski dhe Kosta Dellov. Shqiptimi i aktgjykimit për këta është caktuar për më 5 korrik, ndërsa në seancën e kaluar Stojan Pavleski u dënua me tre vite burg dhe Cejo Georgievski me një vit e dy muaj burg. (Rexhep Qamili, TVM2)