Kremlin, Putini dhe Trumpi nuk do të diskutojnë për Krimenë

02.07.2018 19:05

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është i hapur për gjetjen e kompromiseve me homologun amerikan....

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është i hapur për gjetjen e kompromiseve me homologun amerikan për të gjitha çështjet, përveç statusit të Krimesë - gadishull i Ukrainës, i aneksuar nga Moska.

Kështu deklaroi Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në prag të samitit midis Putinit dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili do të mbahet në Helsinki, më 16 korrik.

Marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit janë tensionuar keq, për shkak të aneksimit të Krimesë në vitin 2014, rolit të Rusisë në luftërat në Siri dhe në lindje të Ukrainës, si dhe ndërhyrjes së saj në zgjedhjet në SHBA, më 2016.

Peskov tha se Putin ka deklaruar shumë herë se një çështje si ajo e Krimesë nuk mund të nxirret në rend të ditës, "marrë parasysh se Krimeja është pjesë integrale e Rusisë".

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë vënë sanksione kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë dhe veprimeve të tjera.