Maqedoni

Gjykimi për “Titanik” shtyhet për më 16 gusht

03.07.2018 11:45

Seanca e sotme gjyqësore për lëndën e Prokurorisë Speciale Publike “Titanik” .....

Seanca e sotme gjyqësore për lëndën e Prokurorisë Speciale Publike “Titanik” është shtyrë për më 16 gusht për shkak të mungesës së të akuzuarës, Gordana Jankulloska,, e cila, siç njoftoi avokatja e saj, Sanja Aleksiq, është në spital pas lindjes. Gjyqtari, Osman Shabani, tha se e akuzuara, Jankulloska, ka të drejtë 45 ditë të thirret në seanca gjyqësore, për shkak të së cilës e shtyu gjykimi për “Titanik” për më 16 gusht.

Edhe seanca e kaluar për këtë rast ishte shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarës, Gordana Jankulloskës, atëherë për shkak të shtatzënisë së rrezikshme.

Në “Titanik” të akuzuar janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe ish-funksionarët, Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishoska Boshkovski, Ilija Dimovski, si dhe 14 persona tjerë. Ata janë të dyshuar nga PSP-ja për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës votuese, lëndim të së drejtës së caktimit të votuesve, mitmarrje gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrimin e materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore të vitit 2012.