Maqedoni
Shilegov: Shkupi do të furnizohet me 40 autobusë ekologjikë
03.07.2018 16:21
Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup do të furnizohet me 40 autobusë të rinj ekologjik me gaz...

Procedura për këtë tanimë ka filluar, deklaroi kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, sipas të cilit tenderi pritet të shpallet në vjeshtë, ndërsa marrëveshja për furnizimin me autobusët e rinj pritet të nënshkruhet deri në fund të këtij viti.
"Prej dje zyrtarisht e kemi filluar procedurën për furnizimin e 40 autobusëve të rinj ekologjikë me gaz, të cilët do ta ndryshojnë transportin publik në qytet dhe nuk do ta ndotin mjedisin. Këshilli Drejtues me mbështetjen e NTP-së dhe Qytetit të Shkupit e filloi procedurën për marrjen e kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 10 milionë denarë me një për qind interes, tre vjet periudhë grejs dhe shtatë vjet për shlyerje, ndërsa për huamarrjen e kemi edhe garancinë shtetërore",- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Me autobusët e rinj me gaz, niveli i ndotjes është 90% më i ulët nga autobusët disel, tha Shilegov.
Ai njëherit theksoi se para shtatë vitesh kryeqendra është furnizuar me 202 autobusë dykatësh të prodhimit kinez dhe me 80 nga Ukraina, të cilët kanë kushtuar shumë, ndërsa janë me kualitet të dobët, prandaj edhe për çdo ditë paraqiten defekte.
Autobusët e rinj përveç që do të jenë ekologjikë, do të jenë edhe me kapacitet më të madh udhëtarësh, përkatësisht prej 150 udhëtarësh, për dallim nga autobusët dykatësh të cilët kanë kapacitet prej 82 udhëtarësh.
GYLTENE SINANI
