Shtyhet gjykimin për rastin “Titanik”, Jankullovska në pushim të lindjes

03.07.2018 17:15

“Gordana Jankullovska, ta ketë shëndosh e mirë djalin dhe më 16 gusht të paraqitet në gjykatë”....

“Gordana Jankullovska, ta ketë shëndosh e mirë djalin dhe më 16 gusht të paraqitet në gjykatë”, porositi gjykatësi, Osmani Shabani, gjatë anulimit të seancës gjyqësore për rastin “Titanik” të PPS-së, e cila u shty për shkak të pushimit të lindjes së të akuzuarës.

Osmani i sqaroi avokatit të Jankullovskës se në bazë të ligjit, ajo ka në dispozicion 45 ditë që të jetë bashkë me beben dhe pas skadimit të këtyre ditëve, ajo duhet të kthehet në bankën e të akuzuarve. Avokatja e saj, Sanja Aleksiq, tha se Jankullovska ende nuk ka dalë nga spitali dhe se i duhet kohë për t’u rikuperuar nga lindja.

Njëherit, gjykatësi Osmani e informoi opinionin se Mile Janakievski dhe Gordana Jankullovska kanë kërkuar që mediat të përjashtohen nga salla e gjykimit gjatë kohës kur do të lëshohen materialet e përgjuara, për shkak të mbrojtjes së interesit të tyre privat, ndërsa avokatët tjerë kërkuan që gjykata të marrë vendim nëse “bombat” që i posedon PPS për këtë rast janë në përputhje me ligjin për mbrojtjen e privatësisë.

Më shumë se tre muaj, gjykimi për këtë rast assesi të fillojë për shkak të mungesave dhe kontestimeve të shumta procedurale të avokatëve të të akuzuarve. Seancat e ardhshme gjyqësore për këtë rast janë caktuar për më 16, 17 dhe 20 gusht.

Në rastin “Titanik”, Gruevski, Jankullovska, Janakievski dhe disa ish funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së akuzohen për shkelje të së drejtës së votës, të lirisë së zgjedhjes së votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe shpërdorimin e fondeve për financimin e fushatës zgjedhore të VMRO-së në vitin 2012. (Rexhep Qamili, TVM2)